
Gjuha e urrejtjes dhe keqinformimi janë çështjet më problematike me të cilat po ballafaqohen Mediet Online në Kosovë.
Kjo si pasojë që çdo individ ka mundësinë të plasojë lajme edhe pse nuk është profesionist në media.
Kështu u tha në konferencën me temë “Gjendja e Medieve Online në Kosovë”, e organizuar nga misioni i OSBE-së.
Dane Koruga përfaqësues i misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë se sfidat e para që i sheh në Mediet Online në Kosovë janë gjuha e urrejtjes dhe keqinformimi e që po bëhet edhe prej njerëzve jo profesionistë.
“Sfidat e para që i shoh në Media Online janë gjuha e urrejtjes, keqinformimi dhe kjo po jep mundësi edhe përmbajtjes së gjeneruar nga lexuesi dhe këtu po flasim për njerëz që nuk janë profesionist.
“Shpresoj që do të mund t’i trajtojmë këto sfida dhe të paktën Mediet Online t’i sjellim në binarë”, ka thënë ai.
Ndërsa Imer Mushkolaj, kryesues i Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës, ka thënë se duhet punë dhe angazhim i gjithëmbarshëm që mediet në përgjithësi të rregullohen dhe të respektojnë kodin.
Ai ka thënë se problem tek Mediet Online mbetet edhe pronësia.“Mediet e caktuara nuk duan ta respektojnë kodin. Pronësia e medieve është problematike te një numër i madh”, ka thënë ai.