
Drejtori i të ashtuquajturës, “Zyre për Kosovën”, Marko Gjuriq, ka deklaruar se “sukseset” e presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit dhe delegacionit që ishte me të në Uashington ishin “aq të mëdha” sa të gjitha “humbjet” e Boris Tadiç.
Këto komente, Gjuriq, i bëri në një konferencë për shtyp, duke kritikuar ashpër ish-presidentin serb, Tadiç.
Tadiç ka qenë shumë kritikë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për shkak të qasjes së tij ndaj Kosovës.
Por, sipas Gjuriqit, “suksesi i Serbisë”, ka qenë shumë i madh, madje ai thotë se nuk kanë pranuar asgjë në Uashington brenda asaj siç e ka quajtur ai “Provinca jugore e Serbisë”.
“Tadiç e di shumë mirë që delegacioni ynë në Uashington nuk e pranoi në mënyrë të nënkuptuar apo të qartë me ndonjë gjest, letër apo presje që Kosova është diçka tjetër përveç provincës sonë jugore”, tha Gjuriq, raporton agjencia e lajmeve serbe, Tanjug.
Më 4 shtator është nënshkruar marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë marrëveshje ka pasur kritika në të dy anët: Kosovë e Serbi. /Insajderi.com