Gjuriq: Fashistët dhe shovinistët e Vetëvendosjes pengojnë Listën Serbe

Me rastin e mos verifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për kryetarë të komunave në veri të Kosovës për zgjedhjet e 19 majit, deklarohet drejtori serb i zyrës për Kosovë Marko Gjuriq i cili pretendon se “popullit serb në Kosovë i janë hequr të gjitha të drejtat politike”.

Gjuriq: Fashistët dhe shovinistët e Vetëvendosjes pengojnë Listën Serbe

Në takimin e sotëm të KQZ 7 anëtarë kanë votuar “për” dhe 2 kanë abstenuar. Kjo nuk ishte e mjaftueshme për verifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.

“Pengimi i përfaqësuesve të Listës Serbe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është akt me të cilin i janë hequr të gjitha të drejtat politike popullit serb”, ka pretenduar Marko Gjuriq.

Ai pretendon se “pjesëmarrja e mëtutjeshme e serbëve në çfarëdo institucioni të Kosovës dhe proceset politike pas këtij akti është e pakuptimtë. Gjuriq shton se do të bëhet konsultimi i presidentit dhe qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës në mënyrë që të merret vendimi për hapat e mëtutjeshme, dhe se është e pabesueshme që gjërat e tilla ndodhin para syve të komunitetit ndërkombëtar”.

“Përfaqësuesit e lëvizjes fashiste dhe shoviniste të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës sot kanë vendosur masat e segregacionit nacional, ndërsa serbëve iu është marrë statusi i qenieve të lira njerëzore në Kosovën e vetëshpallur”, ka pretenduar Marko Gjuriq./Insajderi.com.