Gjuriq: Gjurmët e vrasjes së Ivanoviqit qojnë në Prishtinë

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq sot ka deklaruar se aktakuza kundër të dyshuarve për vrasje të Oliver Ivanoviqit, tregon “pafuqinë e plotë të gjyqësisë së Kosovës dhe vazhdimin e linçit dhe gjuetisë ndaj serbëve dhe Serbisë”.

Gjuriq: Gjurmët e vrasjes së Ivanoviqit qojnë në Prishtinë

Gjuriq ka thënë se Prishtina në të vërtetë “po i fshehë provat dhe detajet nga hetimet mbi vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe ka shtuar se mund të thotë se të gjitha gjurmët në lidhje me hetimet e vrasjes qojnë pikërisht kah Prishtina”.

“Nuk jam as gjykatës e as prokuror, por si dikush i cili ka qasje në punën operative të shërbimeve tona, mund të them se të gjitha gjurmët në lidhje me këtë krim të tmerrshëm qojnë kah Prishtina”, pretendon Gjuriq.

I pyetur përse nuk është Millan Radoiçiqi në aktakuza, edhe pse më herët emri i tij u përmend në këtë kontest, Gjuriq thotë se “Prishtina  po luan me aktakuza si po i përgjigjet politikisht”.

Sa i përket masakrës së Reçakut, Gjuriq thotë se askush nuk është dënuar për Reçak, as në gjyqësinë e Kosovës e as në Hagë, por se “me ditë të tëra po zgjatë fushata kundër presidentit tonë i cili po e mbron Ivan Todosijeviqin, i cili ka thënë se Reçaku është shkak i trilluar për agresion të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.

Gjuriq gjithashtu ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk dëshiron të bisedojë me Aleksandar Vuçiqin, sepse “ai është negociatori më i fortë i Serbisë dhe e ka përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar”.

“Ai dëshiron që Serbisë t’i lidhen duart në bisedime… Ai do të donte edhe të emërojë se me kë do të bisedojë”, ka pretenduar Marko Gjuriq./Insajderi.com.