Gjuriq: Hoti nuk do t’i shpëtojë Asociacionit – tjetër këngë po këndon në Bruksel

Gjuriq: Hoti nuk do t’i shpëtojë Asociacionit – tjetër këngë po këndon në Bruksel

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti unk do të mund të shpëtojë nga krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, njofton Insajderi.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’, Gjuriq ka theksuar se kjo çështje do të mbyllet kur të formohet Asociacioni.

“Hoti mund ta gënjejë publikun sa të dojë, por ai nuk do t’i shpëtojë krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Ai po këndon një këngë tjetër në takimet në Bruksel, dhe jo vetëm premton të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, por gjithashtu garanton edhe kompetenca shtesë për të,” tha ai.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Avdullah Hoti ka ripërsëritur edhe sot në një konferencë për media se tema e Asociacionit nuk hapet më dhe se sipas tij ajo është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013. /Insajderi.com