Gjuriq krenohet me marrëveshjen për kodin telefonik

Gjuriq krenohet me marrëveshjen për kodin telefonik

Qeveria serbe është e kënaqur me marrëveshjen për telekomunikacionin të arritur me Prishtinën, dhe mbi të gjitha nga fakti se Telekom Serbia zyrtarisht do punojë në Kosovë dhe “atë si një kompani që është e njohur ligjërisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Prishtinës”.

Drejtori i të ashtuqujturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë sot se kodi telefonik është i projektuar vetëm për zonën gjeokrafike të Kosovës, dhe se nuk është kod shtetëror.

“Kompanitë tona shtetëore në fund do të punojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e krahinës sonë jugore. Ligjërisht dhe zyrtarisht të njohura nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Prishtinës”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mbajtur në Beograd, njofton Insajderi.

Gjuriq po ashtu tha se me këtë marrëveshje të arritur në Bruksel, Serbia mbron interesat e saj në Kosovë.

“Republika e Serbisë dhe Qeveria e Serbisë janë të kënaqura se pasuritë e saj në territorin e krahinës jugore do të mbrohen plotësisht dhe do të ruhen jo vetëm në sistemin tonë, çështje kjo që nuk është vënë kurrë në pyetje, por do të jetë e  mbrojtur dhe ruajtur me këtë marrëveshje që  garanton transferimin e saj në kompaninë “Telekom Serbia”, kështu që 100 për qind do të jetë në pronësi të Telekom Serbia, dhe që do të vendoset në territorin e krahinës sonë jugore”, tha Gjuriq.

Marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës është njoftuar dje nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë. /Insajderi.com