Gjuriq nuk lejohet të hyjë në Kosovë: Serbëve duhej t’u dorëzoheshin ndihma

Gjuriq nuk lejohet të hyjë në Kosovë: Serbëve duhej t’u dorëzoheshin ndihma

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka akuzuar Prishtinën zyrtare se nuk e kanë lejuar të vizitojë sot Leshakun në veri të Kosovës, ku ‘serbëve duhej t’u dorëzoheshin ndihma’.

Gjuriq tha në një konferencë për shtyp se vizita u paralajmërua në pajtim me marrëveshjen mbi vizitat e zyrtarëve dhe se ky ndalim, sipas tij, nuk ishte rastësi, por ‘rezultat i nervozizmit të Prishtinës’.

Ai paralajmëroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohet të premten në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe udhëheqësit serbë të institucioneve në Kosovë, me të cilët do të bisedojë për hapat e mëtejmë.

“Të gjithë hapat e mëvonshme do të merren në marrëveshje me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit serb dhe përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë,” tha Gjuriq.

Ai uroi Listën Serbe për fitore në katër komunat në veri, duke thënë se Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku të mbeten serbe dhe në lidhje institucionale dhe organike me Serbinë./ Insajderi.com