Gjykata britanike e Apelit kërkon rishikimin e vendimit për shitje të armëve në Arabisë Saudite

Mbështetësit e Fushatës kundër Tregtisë së Armëve, kanë fituar një betejë ligjore në Gjykatën e Apelit në Londër, lidhur me vendimin e Qeverisë britanike për të lejuar shitjen e armëve në Arabinë Saudite.

Gjykata britanike e Apelit kërkon rishikimin e vendimit për shitje të armëve në Arabisë Saudite

Ata kanë argumentuar se vendimi për të vazhduar licencimin e eksportimit të pajisjeve ushtarake në Gjirin Persik është i paligjshëm.

Në dokument po ashtu është thënë se ekziston një rrezik i madh se armët mund të përdoren në situata që përbëjnë shkelje me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Gjyqtarët kanë thënë se licencat duhet të rishikohen, mirëpo nuk do të pezullohen menjëherë.

Duke treguar për vendimin, gjyqtari, Terence Etherton ka thënë se Qeveria britanike “nuk ka treguar nëse koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka shkelur ligjin ndërkombëtar në të kaluarën gjatë konfliktit në Jemen”, transmeton REL.

Këto shitje kontribuojnë në mijëra vende të punës në Britani, dhe kanë rezultuar me miliarda funte të fituara për këtë shtet.

Vendimi i gjykatës ka ardhur pas një debati të gjatë lidhur me furnizimin e Arabisë Saudite me armë, sidomos në kohën e përfshirjes së këtij shteti në konfliktin e Jemenit.

Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm, ka thënë në raportin e tij të fundit se Britania është vendi i dytë më i madh sa i përket furnizimit të Arabisë Saudite me armë, pas Shteteve të Bashkuara.

Importimi i armëve masive në Arabinë Saudite është më shumë se trefishuar në periudhën 2012-2017, në krahasim me periudhën paraprake pesëvjeçare.