Gjykata do t’i bëjë ekzaminim mjekësor Ragip Begajt

Gjykata do t’i bëjë ekzaminim mjekësor Ragip Begajt

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet t’i bëjë ekzaminim mjekësor kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, për të parë nëse i njëjti është në gjendje për ta përcjellë gjykimin për rastin ku ai akuzohet për korrupsion, transmeton Insajderi.

Një vendim i tillë është marrë pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Emrush Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin fillestar që ishte paraparë të mbahej sot, avokati Kastrati kërkoi nga gjykata që për të mbrojturin e tij të bëhet një ekzaminim mjekësor, pasi sipas tij, i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

“Ne mendojmë dhe i propozojmë gjykatës që të caktojë ekspert mjekësor të lamisë përkatëse, të cilët do të deklaroheshin mbi rrethana e mundësisë se a është i aftë i akuzuari Begaj që ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë avokati Kastrati, pas së cilit deklarim gjykatës ia ka dorëzuar dokumentacion mjekësor.

Ndërkaq, gjykatësja Namani me aktvendim e ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin se është i bazuar dhe gjen mbështetje në provat e dorëzuara.

Gjykatësja Namani deklaroi se gjykata do të urdhërojë ekzaminim mjekësor për të akuzuarin Begaj, për ta vërtetuar faktin nëse i njëjti është në gjendje për ndjekur gjykimin apo jo.

Lidhur me këtë rast, seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë në afat të pacaktuar. /Insajderi.com