Burime nga gjykata kanë thënë për Insajderin se Apeli i ka hedhur poshtë ankesat e " />

Gjykata e Apelit vërteton aktakuzën e Prokurorisë Speciale në rastin “Pronto”

Gjykata e Apelit vërteton aktakuzën e Prokurorisë Speciale në rastin “Pronto”

Gjykata e Apelit ka vendosur që të akuzuarit në rastin “Pronto” t’i çojë në shqyrtim gjyqësor.

Burime nga gjykata kanë thënë për Insajderin se Apeli i ka hedhur poshtë ankesat e mbrojtësve dhe ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Kësisoj, Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj dhe Rexhë Abazi do të gjykohen për veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, raporton Insajderi.

Sipas aktakuzës, Grabovci dhe të tjerët kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Kërkesa e avokatëve të të akuzuarve në rastin “Pronto” për hudhjen poshtë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale është refuzuar edhe para dy muajsh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndaj atij vendimi, avokatët e të akuzuarve i kishin dërguar ankesat e tyre në Gjykatën e Apelit.

Ndërkaq, sanksioni i parë për 11 të akuzuarit në rastin “Pronto” erdhi para disa ditësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet një njoftimi për media, Ambasada e ShBA-ve njoftoi se personat që janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk do të mund të marrin viza për të udhëtuar në Amerikë. Ambasada ka përmendur me emër rastet “Pronto” dhe rastet e tjera të ngjashme, protagonistët e së cilave nuk do të mund ta vizitojnë Amerikën.

Insajderi në gusht të vitit 2016 ka publikuar përgjimet “Dosja e Shefave”, ku protagonist ishte Adem Grabovci.  Nga këto përgjime u dëshmua ndikimi i njerëzve të PDK-së në punësime nëpër të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë edhe agjencionet e pavarura edhe mediat.

Bazuar në këto përgjime, Prokuroria Speciale, në prill të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit, Fatmir Shurdhajt, Sedat Gashit, Xhavit Dakajt, Njazi Kryeziut, Arbenita Pajazitit, Ilhami Gashit, Ismet Nezirajt dhe Rexhë Abazit. /Insajderi.com