Gjykata e dënon inspektorin me burg për marrje ryshfeti

Gjykata e dënon inspektorin me burg për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, ashtu si në gjykimin e parë dhe të dytë, inspektorin e komunikacionit në Kamenicë që akuzohet për marrje ryshfeti, Sadullah Dërmaku, e ka dënuar me 15 muaj burgim efektiv, si dhe me 300 euro gjobë.

Pos dënimit kryesor, gjykata i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, atë të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë dhe shërbime publike në periudhë prej dy vjetësh, por i cili dënim do të zbatohet pas mbajtjes së dënimit me burg, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Zyhdi Haziri, në bazë të provave është ardhur në përfundim, se i akuzuari është fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Haziri, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 20 tetori 2017, deri më 17 janar 2018.

Po ashtu, i akuzuari në emër të paushallit gjyqësor është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe 50 euro për fondin e viktimave.

Gjykata e ka njoftuar të akuzuarin se nëse nuk ka mundësi që të paguajë dënimin me gjobë, brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, atëherë ky dënim do të zëvendësohet me burgim, ku për çdo 20 euro do të llogaritet me një ditë burgim.

I dëmtuari Besnik Shabani, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, gjykatësi Haziri ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të vitit 2018, të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Dërmakut, gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Mirëpo, e pakënaqur me vendimin dhe arsyetimin nga shkalla e parë, ankesë në Apel kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Dërmaku, avokati Shemsedin Piraj, cili gjykatës së shkallës së dytë i kishte propozuar që të akuzuarin Dërmaku ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthej në rigjykim.

Ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit, më 13 gusht 2018, e kishte aprovuar Apeli, e cila lëndën e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar në formën e paraparë me ligj, duke e dërguar çështjen për rigjykim dhe vendim.

Gjithashtu, në vendimin e Apelit thuhet se, rrethanat të cilat janë marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimin, nuk kanë të bëjnë me të akuzuarin Sadullah Dërmaku por me persona të tjerë, si dhe dispozitivi i të njëjtit aktgjykim është në kundërshtim me arsyetimin, për shkak se ka të bëjë me persona të ndryshëm, e nga kjo del se nuk kanë dhënë arsye mbi fakte vendimtare.

Pas kësaj, dhe pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjilan, më 31 janar 2019, përsëri ashtu si në gjykimin e parë, të akuzuarin Dërmaku e kishte dënuar me 15 muaj burgim efektiv, si dhe 300 euro gjobë.

Pos këtij dënimi, atij i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, atë të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë dhe shërbime publike në periudhë prej dy vitesh, por i cili dënim nuk do të zbatohej deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndaj këtij vendimi, përsëri ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, duke pretenduar në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, shkelje të dispozitave të Kodit Penal, vërtetim të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionit penal,  me propoimin që ankesa të aprovohet si e bazuar, dhe aktgjykimi të ndryshohet, ashtu që i akuzuari Dërmaku të lirohet nga përgjegjësia penale.

Ankesë në shkallën e dytë, kishte bërë edhe Prokuroria Themelore në Gjilan, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke kërkuar nga Apeli që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i rëndë.

Gjykata e Apelit  më 25 prill 2019, kishte marrë aktvendim me të cilin këtë vendim të Gjykatës Themelore sërish e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se ky aktgjykim përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se gjykata e shkallës së parë ka bërë ricilësimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit në atë të ndihmës së kryerjes së kësaj vepre, sepse siç rezulton nga përshkrimi faktik i arsyetimit të aktgjykimit, por edhe nga provat dhe shkresat e lëndës, i akuzuari ka vepruar vetëm, dhe nuk ekziston asnjë person tjetër që ai të ketë mundur ta ndihmojë në ndonjë mënyrë, siç e parashesh neni 33 i KPRK-së.

Ndërkaq, sipas Gjykatës së Apelit, ankesa e prokurorisë tani për tani është jolëndore.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, të cilin e ngarkon me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Dërmaku më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim qe vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar.