Gjykata i cakton 30 ditë paraburgim policit në Gjilan

Gjykata i cakton 30 ditë paraburgim policit në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh policit të dyshuar V.H. për vrasjen e L. Spahiut.

Kjo gjykatë thotë se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H., gjersa ishte duke vozitur veturën e tij, shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L. Spahiu, tani i ndjerë.

“Deri tek ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. (polic) me armën e tij zyrtare shtinë në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Tek i dyshuari gjithashtu janë gjetur edhe dy revole të tjera të modelit ‘Bereta 92 Auto’ dhe 25 dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, i cili të njëjtën ditë në një lokal në fshatin Malishevë të Gjilanit, duke dëgjuar muzikë kishte përdorur armën e tij”, ka thënë Gjykata në njoftimin për media, raporton Koha.net.

Me këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Zyhdi Haziri, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.