fbpx

Gjykata lë në harresë aktakuzën për shpëlarje parash të biznesmenenëve të afërm me PDK-në  

Gjykata Themelore në Prishtinë, është duke e neglizhuar aktakuzën kundër 23 personave, mes tyre dy biznesmenë të akuzuar për shpëlarje parash, të cilët janë financues të Partisë Demokratike të Kosovës. Bajram Gashani dhe Bejtush Zhugolli, akuzohen se kanë blerë prona të shtetit në Çagllavicë me para të dyshimta. Me këtë ritëm, një pjesë e veprave kriminale rrezikojnë të parashkruhen.

Gjykata lë në harresë aktakuzën për shpëlarje parash të biznesmenenëve të afërm me PDK-në   

Po bëhet thuajse një vit që kur është mbajtur seanca fillestare në rastin e Tokave në Çagllavicë, në të cilin janë të akuzuar 23 persona, mes tyre biznesmenë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës.

Seanca e parë fillestare është mbajtur në shtator 2016 nga gjyqtarë të EULEX-it. E dyta në tetor të vitit të kaluar nga gjyqtari, Beqir Kalludra. Që nga ajo kohë, nuk është caktuar ndonjë seancë tjetër.

Rasti i përvetësimit të 36 hektarëve tokë të shtetit, pronarë të së cilës janë bërë biznesmenë është lënë në harresë nga gjyqtari, Beqir Kaludra.

Bajram Gashani, Bejtush Zhugolli, Arton Vila dhe Albion Mulaku, janë pjesë e grupit të Mehmet Prishtinës, të akuzuar për shpëlarje parash. Ata janë blerës të tokave të shtetit në Çagllavicë.

Të katërt janë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, direkt dhe si financues.

Pronari i Altrade Hollding, Bajram Gashani dhe biznesmeni Bejtush Zhugolli, janë financuesve të PDK-së.  Arton Vila ka qenë shofer i deputetit Azem Syla. Ndërkaq, Albion Mulaku është djali i ish-kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulakut.

Ata akuzohen se kanë futur në treg para që nuk u dihet prejardhja si pjesë e “grupit kriminal”.

Prokuroria pretendon se këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime artificiale.

“Vlera e përgjithshme në treg e 45 parcelave, ishte në mes të 18 dhe 21.6 milionë euro. Të ardhurat që janë pranuar nga të pandehurit nga shitja e tokës është rreth 2.8 milion euro”, thuhet në ekspertizën financiare të kryer nga një ekspert i angazhuar nga Prokuroria.

Këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime që shkojnë nga 36 cent deri në 10 euro për metër katrorë.

Çmimi më i lartë për një arë truall ka shkuar deri në 1 mijë euro, derisa çmimet reale në atë pjesë sillen nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për një arë.

Prokuroria Speciale po synon që të përfshirët në këtë rast t’i nxjerr para drejtësisë si të akuzuar për vepra të rënda penale.

Aktakuza e ngritur disa ditë më parë ka të bëjë me krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare, shpëlarje parash, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, falsifikim i dokumenteve zyrtare.

Në krye të të akuzuarve është ish-gjyqtarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Naxharije Hoti, ndjekur nga biznesmeni Mehmet Prishtina e Dukagjin Emerllahu.

I akuzuar është edhe Reshat Fetahu, shef i departamentit ligjor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Gani Ademi – këshilltar ligjor në Departamentin ligjor në AKP, Avni Maxhuni -avokat, Isak Ademi – noter, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Ibrahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerliu, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani.

Në Gjykatën Themelore kanë thënë se nuk dihet kur do të mbahet seanca për shkak se gjyqtari, Kalludra është në pushim.

Informata se kur mund të nis procesi gjyqësor nuk kanë as avokatët, Artan Çerkini e Tahir Rrecaj.

“Lëndën ka qenë e udhëhequr prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it. Në këtë lëndë është mbajt  shqyrtimi fillestar ku na është dhënën nga gjyqtari i EULEX-it afati 30 ditë për kundërshtimin e aktakuzave dhe kundërshtimin lidhur me kalueshmërinë e provave, ne kemi bërë atë dhe në kohën kur është deshur që gjyqtari të marrë një vendim në kërkesat tona, lënda është transferuar nga EULEX-i te vendorët, pasi e kanë ditë që kjo lëndë nuk do të mund të kryht nga EULE-i për shkak të mandatit të tyre”, ka deklaruar Artan Çerkini – avokati i të akuzuarit për shpërlarje parash, biznesmenit Bajram Gashani.

Çerkini ka thënë se është duke pritur që gjykata të marrë vendim lidhur me kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe papranueshmërinë e provave.

“Pasi është ndrru gjyqtari është mbajtur edhe një herë seanca e shqyrtimit fillestare, në këtë seancë ne kemi mbet prapa kundërshtimeve që kemi pas më herët dhe ka mbet që kryetari i trupit gjykues të marrë vendim në kundërshtimet tona”, ka thënë ai.

“Deri tash ne s’kemi pranuar asnjë vendim lidhur me kundërshtimet tona”.

Në seancën e fundit, gjyqtari Beqir Kalludra kishte thënë se ka ndryshuar gjendja faktike për pikën 25 të aktakuzës për të akuzuarin Bajram Gashani, i cili edhe pas ndryshimit, kishte thënë se ndjehet i pafajshëm.

Sipas pikës 25, i akuzuari Bajrami, ka blerë ngastrën 1358/1, më 25 prill 2013, në vlerë prej 10.38 eurosh për metër katror.

Tahir Rrecaj, avokat i Mehmet Prishtinës ka thënë se deri tash as nuk janë pranuar e as hedhur poshtë parashtresat e mbrojtjes.

“Ma saktësisht me 6 dhe 7 mars 2016 është mbajt seanca fillestare ne i kemi pas 30 ditë afat me paraqit kërkesën, domethënë unë e kam paraqit brenda muajit mars. Lënda kur ka kaluar tek vendor fillimisht ka qenë tek një gjyqtar tjetër që ka qenë i deleguar nga Ferizaj, i cili e ka përfunduar mandatin dhe tash lënda ka kaluar tek gjyqtari, Beqir Kalludra”, ka shtuar Rrecaj.

Ai ka thënë se nuk ka informata tjera.  

Por, si u përvetësua toka e shtetit?

Sipas aktakuzës, Dukagjin Emerllahu kishte paditur AKP-në duke kërkuar pronësinë për 11 hektar tokë që i kishte marrë me qira nga ndërmarrja “KBI – Kosova Export”. Dhoma e Posaçme ia kishte hedhur poshtë padinë dhe pretendimin e pronësisë. Emerllahu e kishte bërë padinë në Gjykatën Komunale.

Gjyqtarja Naxharije Hoti, në kundërshtim me ligjin ia kishte njohur pronësinë për 36 hektarë, e jo 11 sa pretendonte ai. Bazuar në aktakuzë, grupi i cilësuar si kriminal ishte kujdesur që AKP-ja të humb afatin e ankesës. Aktgjykimi i ishte dërguar një zyrtareje në AKP që dyshohet se kontrollohej nga Mehmet Prishtina. Fletëdorëzimi ishte vulosur me vulë fals të AKP-së. Kur AKP ishte ankuar se nuk ka aktgjykim, grupi ia kishte prezantuar fletëdorëzimin me vulë fals, duke pretenduar se AKP-ja e ka marrë vendimin e Gjykatës, por nuk ka bërë ankesë.

Në këtë mënyrë, aktgjykimi ka marrë formën e prerë. Ndërkohë, toka e shtetit është shitur me çmime qesharake.

Ish-gjyqtarja Naxharije Hoti akuzohet se ka peshën kryesore që kjo tokë e shtetit të tjetërsohet në këtë mënyrë. Falë një aktgjykimi të saj toka është bartur tek pronari privat. Gjyqtarja madje kishte vendosur përtej padisë së paditësit, Dukagjin Emerllahu. Ai kishte kërkuar vetëm 11 hektarë tokë të “KBI Kosova Export” që i kishte shfrytëzuar me qira. Pa kërkesën e tij, gjyqtarja akuzohet se me vendim të kundërligjshëm ia ka dhënë 36.45 hektar.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

“Me vendimin në dobi për pjesëtarët e grupit kriminal dhe me dashje për t’i shkaktuar dëm Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga ndërmarra shoqërore “KBI Kosova Export” dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e pandehura ka nxjerr vendim të paligjshëm me 27 shtator të vitit 2010 me të cilin është aprovuar padia civile e paditësit Dukagjin Emerllahu”, thuhet në aktakuzë.

Emerllahu akuzohet se ka vepruar si bashkëpunëtor i Mehmet Prishtinës për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarësh që kanë qenë në posedim të tyre– me qira.

Prokuroria thotë se aktgjykimi ka qenë në kundërshtim me parimin ‘res juridica’ sepse për të njëjtin rast tashmë kishte vendosur Dhoma e Posaçme e UNMIK-ut më 30 nëntor të vitit 2009 me anë të një aktgjykimi të formës së prerë i cili ka qenë i detyrueshëm ligjërisht dhe pa të drejtë ankese.

Me të është përcaktuar se paditësi, Dukagjin Emerllahu nuk ka pasur as të drejta pronësore, e as të drejta për përdorim të përhershëm të tokës.

Por, gjyqtarja Hoti e ka pranuar Dukagjin Emerllahun si paditës, çfarë ka qenë në kundërshtim me parimet themelore të Kodit të Procedurës Civile, sepse nuk ka qenë palë kontraktuese e kontratës së qiradhënies në fuqi në të cilën ishte bazuar padia dhe e cila është lidhur me 8 tetor 2004 midis ndërmarrjes shoqërore “KBI Kosova- Export” dhe kompanisë “Agroni DTV”.

“Kështu që Dukagjin Emerllahu nuk ka mundur të jetë palë legjitime”, thotë Prokuroria.

Gjyqtarja përveç që i bëri favor Emërllahut, bazuar në aktakuzë, kishte vendosur që të përjashtonte një pretendues të një pjese të pronës 35 hektarëshe.

Gjyqtarja nuk i ka lejuar anëtarët e familjes Laziq të përfaqësuar nga Predrag Laziq që të ndërhynin si paditës, ndonëse kanë pasur interesim të kufizuar si pronar të ngastrave me sipërfaqe prej 3.5 hektar të përfshirë në këtë rast.

“Gjatë seancës së mbajtur më 27 shtator 2010 ajo ka refuzuar ndërhyrjen e tyre dhe i ka përjashtuar nga rasti në kundërshtim me ligjin për procedurën kontestimore”.

Po ashtu aktgjykimi është marrë pasi e paditura – AKP-ja e ka kundërshtuar një aktvendim të mëparshëm të gjyqtares Naxharije Hoti me të cilin ishin shqiptuar masa të sigurisë dhe ka kundërshtuar kompetencën e saj, atë gjersa vendimet për këtë kërkesë kanë qenë ende në pritje.

“Konkretisht, AKP-ja ka ushtruar ankesë më datën 14.09.2010 kundër aktvendimit të datës 16.07.2012 me të cilin ishin shqiptuar masat e sigurisë ndaj 51 ngastrave kadastrale me sipërfaqe prej 38 hektarësh dhe ka kërkuar më 15. 09. 2010 që Dhoma e Posaçme të merrte përsipër këtë lëndë”, akuzon Prokuroria.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu dhe Naxharije Hoti akuzohen për veprën penale të krimit të organizuar. Kreu i grupit besohet se është Mehmet Prishtina. Ai pretendohet se ka organizator, mbikëqyrë dhe menaxhuar aktivitetet e këtij grupi kriminal të organizuar i cili, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë aktive në veprat penale kryesore.

“Ka bashkërenduar aktivitetet kriminale dhe u ka dhënë urdhra dhe udhëzime pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi të organizuar kriminal dhe të pandehurve të tjerë që kanë bashkëpunuar sipas këtyre urdhrave”, pretendon Prokuroria.

“Naxharije Hoti si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar për të gjykuar në dobi të Dukagjin Emerllahut, ka vepruar si figurë e Mehmet Prishtinës përmes një vendimi gjyqësor të paligjshëm që ajo ka marrë më 27 shtator 2010 për të bashkëpunuar me pjesëtarët tjerë të këtij grupi kriminal dhe për të siguruar që vendimi të mos ankimohej dhe të marrë formën e prerë”.

Prokuroria pretendon se Emerllahu midis 27 shtatorit 2010 dhe 6 dhjetorit 2013, duke e ditur se 36.45 hektarë të pronave shoqërore ishin fituar nga aktivitetet kriminale, përkatësisht se atij i ishin dhënë pronësia e këtyre pronave përmes aktiviteteve kriminale të gjyqtares Naxharie Hoti, ka nisur procedurat e shitjes së parcelave.

Para se të merrej aktgjykimi dhe menjëherë më pas, Emerllahu ka lidhur marrëveshje me Mehmet Prishtinën dhe me të tjerët për t’i bartur ngastrat shoqërore, ani se e ka ditur se pronësia do të jepej atij përmes aktgjykimit. Këto veprime janë kryer sipas Prokurorisë për të fshehur origjinën kriminale të parave.

Emerllahu ka deklaruar dhe bërë marrëveshje me datën 16 shkurt 2011 me Mehmet Prishtinën që t’ia transferojë atij tetë parcela me çmim artificialisht të ulët prej 10 euro për metër katrore.

Më 23 maj 2011, Emerllahu ka bërë marrëveshje tjetër me Mehmet Prishtinën në mënyrë që t’ia transferojë atij tetë parcela me çmim të ulët prej 8.5 euro metra katrore.

Tokat janë shitur nga 7 deri në 10 euro për metër katrorë. Më së liri i është shitur një parcelë Mehmet Prishtinës në vlerë prej 3 eurove metra katrore. Në një kontratë është vërtetuar se një metër katrore tokë është shitur për 36 cent. Një arë që kushton minimumi dhjetë mijë euro, sipas kësaj kontrate është shitur 36 euro./Insajderi.com

Krimi me tokën e shtetit – një hektar në Çagllavicë u shit për 360 euro