Një muaj paraburgim për 6 personat që dyshohet se kryen vjedhje me tre të tjerët që ndodhen në arrati

Një muaj paraburgim për 6 personat që dyshohet se kryen vjedhje me tre të tjerët që ndodhen në arrati

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me personat K.SH, R.A dhe L.L të cilët gjenden në arrati, kanë kryer veprat penale të grabitjes dhe grabitjes në tentativë.

Gjashtë të dyshuarve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjashtë të pandehurit nga muaji gusht 2018 deri me dt. 15 tetor 2018 kur edhe janë arrestuar kanë kryer vjedhje të ndryshme në filiale të Teb Bankës, Kep Bankës, NLB Bankës, pastaj vjedhje nëpër pompa të ndryshme të derivateve në vende të ndryshme të Kosovës, vjedhje nëpër kazino dhe bastore të ndryshme, po ashtu të pandehurit kanë kryer vjedhje edhe në super markete të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Të pandehurit F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH gjatë kësaj periudhe akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer 33 vepra penale gjatë periudhës Gusht 2018 deri me dt. 15 tetor 2018.

Ndërkaq, tre bashkëpunëtorët e tyre në këto raste të vjedhjeve janë në arrati.

Policia e Kosovës ka publikuar identitetin e tre personave para dy ditësh.

Kastriot Shala, Ridvan Ademi dhe Leutrim Latifi, siç njoftoi Policia, konsiderohen si persona me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit.

Këta janë tre personat e kërkuar nga policia, të dyshuar për vjedhje në Prishtinë