
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka dënuar me tetë muaj burgim me kusht si dhe 300 euro gjobë, ekspertin gjyqësor nga fusha e mbrojtjes në punë, Hamid Nuredinin, i cili akuzohej për marrje të ryshfetit.
Shpallja e aktgjykimit ndaj ekspertit në fjalë u bë të premten, nga gjykatësi i kësaj çështje, njëherësh kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, pasi që i pandehuri pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohej.
Dënimi me burgim prej tetë muajsh nuk do të ekzekutohet në qoftë se tani i dënuari Nuredini nuk kryen vepër të re penale brenda një viti.
Kurse, dënimin me gjobë në lartësi prej 300 eurosh, i njëjti u urdhërua që ta paguajë 30 ditë pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.
I njëjti, po ashtu u urdhërua që të dëmtuarit në këtë rast NPSH “Gërlica”, me seli në Ferizaj, t’i kompensojë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 170 eurosh.
Ndryshe, për këtë çështje penale i pandehuri Hamid Nuredini kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokuroren e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Habibe Salihi, ku kjo e fundit kishte propozuar që ndaj të pandehurit, për veprën penale “marrja e ryshfetit”, t’i shqiptohet dënim me gjashtë muaj burgim me kusht.
Mirëpo, kjo marrëveshje mbi pranimin e fajësisë u refuzua nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi.
Refuzimi i kësaj marrëveshje u bë me arsyetimin se e njëjta nuk është e lidhur ashtu siç parashihet me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPK) si dhe dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Marrëveshja nuk është e lidhur ashtu siç parashihet me dispozitat e KPPK-së, por edhe sa i përket dispozitave të KPRK-së, gjegjësisht nenit 428 par.1, në të cilën parashihet vepra penale konkrete dhe dënueshmëria për veprën penale konkrete, ku në këtë paragraf parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet”, çka do të thotë se në marrëveshje nuk është përfshirë dënimi i paraparë në dispozitën e nenit 428 par.1 të KPRK-së”, deklaroi kështu gjykatësi Idrizi.
Tani i dënuari, Hamid Nuredini, akuzohej se gjatë periudhës mars – maj 2017, në cilësinë e ekspertit gjyqësor, ka kërkuar përfitim pasuror për vete, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
I njëjti, akuzohej se nga pronari i NPSH “Gërlica”, në Ferizaj, Ahmet Vogliqi kishte kërkuar 3480 euro, për të hartuar rregulloren për punë, në bazë të së cilës me aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka dhënë mendimin profesional, sipas të cilit mendim, përgjegjësinë primare për vdekjen e tani të ndjerit Malush Emini, e ka pasur vet i ndjeri.
Ndërsa, meqë i dëmtuari nuk ia kishte ofruar këtë shumë, i pandehuri i kishte premtuar se do t’ia ndërrojë mendimin në cilësinë e ekspertit, në seancën e radhës, ku në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka ndërruar mendimin profesional, në atë mënyrë që përgjegjës primar ka lënë punëdhënësin, konkretisht pronarin e NPSH “Gërlica”, Ahmet Vogliqin./Betimi për Drejtësi