Gjykata merr vendim për serbin e dyshuar për krime lufte– “kishte plaçkitur dhe vrarë në Lipjan”

Gjykata merr vendim për serbin e dyshuar për krime lufte– “kishte plaçkitur dhe vrarë në Lipjan”

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, Goran Stanishiq.

Kjo gjykatë, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ndaj Stanishiq është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Në komunikatë thuhet se janë përmbushur kushtet e parapara ligjore për caktimin e kësaj mase, kurse kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, seanca dëgjimore është mbajtur të hënën, mirëpo e njëjta ka qenë e mbyllur për publikun.

Goran Stanishiq është arrestuar të shtunën, më 20 korrik të këtij viti, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Prokuroria Speciale, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri Stanishiq., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë, pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policor të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale sot ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur.