Gjykata në Gjakovë i refuzon të akuzuarit pranimin e fajit për mashtrim me viza

Gjykata në Gjakovë i refuzon të akuzuarit pranimin e fajit për mashtrim me viza

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për mashtrim, Naim Selimaj dhe Vegim Hoxha.

Lidhur me akuzën me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore në Gjakovë, i akuzuari Hoxha u deklarua i pafajshëm, ndërsa, i akuzuari Selimaj e pranoi fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, me rastin e pranimin të fajësisë, Selimaj tha se këtë vepër e ka kryer vetëm e jo në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër.

Këtë pranim të fajësisë nga ana e Selimajt, nuk e pranoi gjykatësi i rastit, Mentor Bajraktari, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet  për pranimin e fajësisë nga neni 248, paragrafi 1, nën paragrafët 1.2 dhe 1.4 të KPP-së.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast u caktua të mbahet më, 27 mars 2019 në ora 11:30, ku siç tha gjykatësi Mentor Bajraktari, palët mund ë paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat dhe aktakuzën.

Sipas aktakuzës së ngritur me 14 maj 2018, Naim Selimaj dhe Vegim Hoxha, akuzohen se në bashkëkryerje nga data e pavërtetuar e gjerë me 31 tetor 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personit tjetër, i akuzuar Selimaj në cilësinë e personit të autorizuar në një firmë nga jashtë, e cila është e pa licencuar në vendin tonë, ju premton të dëmtuarve Laukont Bytyqi dhe Bekim Zherka që për tre muaj do të pajisen me viza për të punuar ne vendet e BE-së.

Ndërsa, i pandehuri Vegim Hoxha akuzohet se në bashkëpunim me Selimajn, i njofton të dëmtuarit, që ky ishte ndërmjetësues se i pandehuri Selimaj do ti rregulloj vizat duke e obliguar  që të dëmtuarin Laukont që të bëjë pagesën në shumë prej 500 euro dhe të dëmtuarin Bekim pagesën në shumë prej 1000 euro, shuma të cilat më nuk iu janë kthyer.

Me këtë, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të “mashtrimit në bashkëkryerje” nga neni 335, paragrafi1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.