Gjykata refuzon kërkesën e “Monegos” për vendimin e BQK-së

Gjykata refuzon kërkesën e “Monegos” për vendimin e BQK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e aksionarit të “Monego” për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të BQK-së deri në zgjidhjen e çështjes, e cila do të mbronte punonjësit dhe pasuritë e ndërmarrjes deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e gjykatës.

Avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi kanë konfirmuar që aksionari i “Monego” do të paraqesë ankesë ndaj vendimit brenda ditëve të ardhshme.

“Zyra Koci & Vokshi që është përfaqësuese e autorizuar e aksionarit ‘Monego’ do të paraqesë ankesë ndaj vendimit brenda ditëve të ardhshme. Në emër të aksionarit të ‘Monegos’ i kërkojmë BQK-së që të sigurojë mbrojtjen e aseteve të kompanisë” thekson avokati Granit Vokshi.

Aksionari i “Monego” i bëri thirrje administratorit të caktuar Visar Zeneli të sigurojë raportin për veprimet e tij të bëra në javën e parë që nga data 6 dhjetor, detyrë e dhënë nga Banka Qendrore të mbledhë kredi të papaguara të interesit të kreditorëve.

Siç është raportuar, Banka Qendrore e Kosovës vendosi të revokojë licencën për kompaninë “Monego”, duke emëruar një administrator të Bankës Qendrore. Aksionarët e kompanisë do të përdorin të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtat e tyre.