Gjykata Speciale afër themelimit

Gjykata Speciale afër themelimit

Përderisa institucionet e Kosovës ende nuk i kanë përmbushur në tërësi obligimet e veta karshi bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, kjo e fundit po vazhdon hetimet për krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Në një përgjigje elektronike për RTK-në, kryeprokurori i task forcës speciale hetimore, David Schwendiman, bën thirrje që të gjitha palët e përfshira në themelimin e Gjykatës Speciale t’i kryejnë punët e veta.

“I inkurajoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, që të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për ta kryer këtë punë. Unë nuk mund të komentoj për çështjet që janë nën hetim”, ka thënë ai.

Schwendiman konfirmon se task forca speciale po vazhdon hetimet për sa i përket krimeve të supozuara.

“Task Forca Speciale hetimore është e ngarkuar me kryerjen e hetimeve dhe do të vazhdojë deri në kohën kur është e mundur që për këto çështje të lëvizet në një nivel tjetër”.

Ndërkohë, sa i përket themelimit të dhomave speciale, Schwendiman thotë se kjo do të marrë edhe pak kohë deri në finalizim. Ndërsa sa i përket mundësisë së ngritjes së aktakuzave, ai nuk preferon të lëshohet në komente, mirëpo thekson se po punohet në atë drejtim.

“Implementimi i ligjit të aprovuar në gusht dhe themelimi i dhomave speciale dhe zyrës së prokurorit special do të marrë ende kohë për t’u kompletuar. Roli im është i kufizuar në punën e Task Forcës Hetimore Speciale, kështu që unë nuk jam në gjendje të them gjë në lidhje me atë se kur dhomat e specializuara apo prokuroria do të jetë funksionale. Unë e di që njerëzit janë duke punuar shumë që një gjë e tillë të ndodhë”, ka theksuar ai.

Për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, Kosovës i ka mbetur edhe ratifikimi i marrëveshjes me Holandën, marrëveshje kjo e cila tashmë është negociuar mes autoriteteve kosovare dhe atyre holandeze. Megjithatë, kjo marrëveshje ende nuk ka shkuar për ratifikim në Kuvend, edhe pse vitin e kaluar thuhej se do të vihet si pikë e rendit të ditës në janar. Sidoqoftë, RTK merr vesh se kjo marrëveshje do të trajtohet në një ndër seancat e para që do t’i mbajë Kuvendi.