Gjykata Supreme e Britanisë pritet të vendosë kundër kryeministrit Johnson

Gjykata Supreme e Britanisë pritet të vendosë kundër kryeministrit Johnson

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, mund të mos ketë tjetër rrugëdalje përpos t’i kthejë deputetët në kuvend, nëse Gjykata Supreme vlerëson se ai e ka mashtruar Mbretëreshën. Kështu kanë thënë disa burime të larta ligjore të shtunën.

Në mesin e komunitetit ligjor është duke u rritur besimi se kjo gjykatë do të marrë vendim kundër qeverisë sa i përket vendimit të kryeministrit Johnson për suspendimin e punës së kuvendit.

Sipas një figure të lartë ligjore, e cila foli në kushte anonimiteti, mundësia e vendimit të gjykatës kundër kryeministrit po e dërgon Britaninë drejt një konflikti kushtetues.

Para fillimit të shqyrtimit të rastit, pak njerëz besonin se këshilla e kryeministrit Johnson për Mbretëreshën për ta ndalur përkohësisht punën e kuvendit për pesë javë mund të cilësohet ilegale. Sidoqoftë, mendimet kanë ndryshuar shumë gjatë seancës që zgjati tri ditë.

“Ndjenja mbizotëruese e vëzhguesve të informuar mirë është se qeveria është buzë humbjes”, tha Philippe Sands, profesor i drejtësisë në Universitetin e Londrës.

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Britanisë së Madhe, Brenda Hale, ka thënë se gjykatësit shpresojnë ta marrin vendimin për këtë çështje në fillim të javës së ardhshme, shkruan “The Guardian”.