Gjykata Supreme tregon për pasojat në shëndetin e stafit, kërkon hetime penale  

Gjykata Supreme tregon për pasojat në shëndetin e stafit, kërkon hetime penale  

Gjykata Supreme e Kosovës ka kërkuar veprime urgjente për të zgjedhur problemin e furnizimit më oksigjen në pallatin e drejtësisë.

Kryetari i saj, Fejzullah Hasani ka akuzuar Prokurorinë për fshehje të ekspertizës, përmbajtja e së cilës është publikuar nga gazeta online Insajderi.

Në të konstatohet se niveli i oksigjenit është 11 herë nën normat e lejuara dhe se ambienti paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.

“Të ballafaquar çdo ditë me gjendjen e rëndë në Pallatin e Drejtësisë, pasojat e të cilës gjendje po i ndjejmë në shëndetin tonë, kryetari i Gjykatës Supreme, gjyqtarët dhe stafi mbështetës, me shqetësim e kanë pritur edhe publikimin në media të një ekspertize profesionale, e autorizuar nga Prokuroria, në të cilën konstatohet se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara”, thuhet në një komunikatë të Gjykatës Supreme.

Në këtë komunikatë theksohen pasojat e deritashme të shëndetit të stafit të Gjykatës.

“Të ballafaquar me pasojat e kësaj gjendjeje, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Supreme është dashtë disa herë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Dhimbjet e kokës, syve, gjakderdhje nga hunda, plogështi dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat që manifestohen te shumica e stafit në këtë gjykatë”, thuhet në reagim.

Aty përmendet mosreagimi institucional i organeve kompetente, dhe mbajta sekret të ekspertizës. Hasani ka kërkuar hapa urgjent në sanimin e gjendjes, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i individit.

“Përkundër adresimit të problemeve të shfaqura në Pallat, Gjykata Supreme nuk ka parë asnjë përmirësim në këtë drejtim, ndaj kjo gjykatë, kërkon që sa më shpejt të intervenohet në hapjen e dritareve, pasi sistemi i ventilimit është dëshmuar joefikas, ndërkohë që jeta jonë po rrezikohet çdo ditë”, ka kërkuar Gjykata Supreme.

“Nëse përkundër gjithë këtyre reagimeve, kompetentët nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sanuar gjendjen këtu, personat përgjegjës, për lëshimet e tilla, do të përgjigjen edhe penalisht për mosveprim”.