Gjykata tregon se pse u parashkrua aktakuza kundër djalit të ministrit, Bejtush Gashi

Gjykata tregon se pse u parashkrua aktakuza kundër djalit të ministrit, Bejtush Gashi

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka mohuar se e ka lënë të parashkruhet qëllimisht aktakuza kundër djalit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

Gjykata ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të dorëheqjes së një gjyqtari që e kishte lëndën kundër Besian Gashit, i akuzuar për vjedhje, mashtrim dhe keqpërdorim të kartelave bankare.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me datë  qershor 2013 është pranuar Aktakuza me nr.PP.nr.779/3/10. Lënda është dërguar në Departamentin për Krime të Rënda dhe Gjykata me datën 14 prill 2014. Është marrë aktvendim për hedhjen e aktakuzës sa i përket veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Ajo ka sqaruar se lënda pastaj është dërguar në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe me këtë lëndë ishte ngarkuar njëri nga gjyqtarët e këtij Departamenti, i cili ndërkohë kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit.

“Pastaj me këtë lëndë ishte ngarkuar gjyqtari tjetër i këtij Departamenti dhe ndërkohë gjatë kësaj periudhe lënda ka arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale”, ka thënë Gashi.

Gjykata nuk është përgjigjur se cilat janë arsyet tjera pos dhënies së dorëheqjes së një gjyqtari, që çuan në parashkrimin e veprave penale.

“Gjyqtari i kësaj çështje – gjyqtar i vetëm gjykues pas pranimit të lëndës me 16 shkurt 2016, pasi kishte shqyrtuar dhe vlerësuar shkresat e lëndës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare kishte konstatuar se në këtë rast ka arritur afati kohor i ndalesës absolute të ndjekjes penale për të gjitha veprat penale për të cilat akuzoheshin të akuzuarit”, ka thënë Gjykata nëpërmjet zëdhënëses së saj.

Insajderi raportoi të martën se si Gjykata Themelore e Prishtinës shpëtoi nga burgu djalin e ministrit Gashi dhe administratores së Gjykatës Supreme.

Një aktakuzë kundër tij dhe katër personave tjerë është e ngritur nga një prokuror i EULEX-it dhe një vendës, është lënë të parashkruhet për shkak të mospunës së Gjykatës Themelore të Prishtinës. Është lënë të arrijë afatin e parashkrimit absolut.

Gashi është akuzuar për tri vepra penale të dënueshme deri në tri vjet.

Kësisoj, ai nuk është gjykuar për veprimet e tij kriminale, të pranuara dhe konfirmuara edhe nga një i bashkakuzuar.

Nëna e Besian Gashit, Ajna Gashi mban pozitë të lartë në gjyqësor. Është administratore e Gjykatës Supreme, derisa i ati i tij një kohë ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit. I ati muaj më parë është emëruar ministër i Punëve të Brendshme, pas shkarkimit të Flamur Sefajt.

Insajderi ka zbuluar lënien në “harresë” të aktakuzës kundër Besian Gashit, Lavdim Bajgorës, Blerim Bajgorës, Ahmet Ahmetit dhe Fisnik Ahmetit.

Të gjithë të akuzuar në bashkëkryerje.

Aktakuza kudër tyre ishte ngritur më 6 qershor 2013. Tek më 16 shkurt 2016 i ishte ndarë gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Agim Kuçi. Ai kishte vendosur ta shfletonte tek më 21 tetor 2016. Tashmë aktakuza ishte e parashkruar. Krejt çka kishte bërë gjyqtari Kuçi ishte nxjerrja e një aktvendimi për refuzimin e aktakuzës për shkak të parashkrimit.

E ëma e të akuzuarit, administratorja e Gjykatës Supreme, Ajna Gashi ka mohuar të ketë ndikuar në parashkrimin e aktakuzës kundër djalit të saj. Ndërkaq, i ati i të akuzuarit – ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi nuk ka kthyer përgjigje.

“Me të thanë të drejtën as që jam interesuar për rastin. Lënda ka qenë në një gjykatë tjetër dhe duhet të flisni me ta se pse është parashkruar”, ka thënë Ajna Gashi.

Megjithatë, historia e vjedhjes dhe mashtrimit të djalit të ministrit, mbetet e pakontestueshme. Atë e kanë konfirmuar hetimet, dëshmitë dhe ekspertizat profesionale./Insajderi.com

Gjykata e fsheh aktakuzën kundër djalit të ministrit të Punëve të Brendshme