Gjykata: Visar Ymeri kërkohet që të dëshmojë në gjykatë

Gjykata: Visar Ymeri kërkohet që të dëshmojë në gjykatë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar një komunikatë nëpërmjet së cilës sqaron se ka një urdhërarrest për paraqtije në Gjykatë ndaj kryetarit të partisë Vetëvendosje, Visar Ymeri, por jo që ai të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit

“Urdhërarresti mund të lëshohet për datë të caktuar, ose për datë të pa caktuar me afat të vlefshmërisë deri në 365 ditë  me qellim që i pandehuri të sillet në gjykatë ose te prokurori-por jo që të ndalohet dhe të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar në emër kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Tutje në këtë komunikatë siç thuhet qartësuese, shpjegohet se “kryetari i gjykatës nga biseda me gjyqtarin e çështjes -në rastin penal ndaj tani të pandehurit Visar Ymeri-ka kuptuar se ndaj këtij të pandehuri nuk është  caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, megjithatë  është lëshuar urdhërarrest me detyrim që policia ta dërgoi në Qendrën e Paraburgimit”.

“Ka mundësi që të bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik gjatë ndërmarrjes së veprimeve procedurale,jo për lëshime të bëra me qellim të shkeljeve të dispozitave ligjore”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, sqaron tutje Gjykata, në rrethana kur ndaj një të pandehuri nuk ka masë të caktuar të paraburgimit për sigurimin e prezencës së tij në seancë, ndalimi, arrestimi dhe dërgimi i një të pandehuri në Qendrën e Paraburgimit sipas një urdhërese e cila nuk përcillet me vendimin për caktimin e paraburgimit nuk do të duhej të ndodhte.

“Është në kompetencën e gjyqtarit të çështjes që të vendos për masën që do ta caktoi në lidhje me sigurimin e prezencës së të pandehurit Visar Ymeri në shqyrtimin gjyqësor-dhe sigurisht se do të veproi në respektim të plotë të  ligjit”, thuhet në fund të komunikatës.