Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt pritet të fillojë nga mesi i gushtit të këtij viti

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt pritet të fillojë nga mesi i gushtit të këtij viti

17:00 – Gjykimi ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit pritet të fillojë në gusht të këtij viti

Gjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë, pritet të fillojë gjatë mesit në muajit gusht, transmeton Insajderi.

Kështu u bë e ditur në seancën e sotme, e cila ishte e katërta për ecurinë e çështjes ndaj këtyre dy krerëve të OVL-UÇK’së, në pikën ku u diskutua për hetimet e mbrojtjes dhe të Prokurorisë së Specializuar.

Avokati i Gucatit, Jonathan Rees, tha se pavarësisht kufizimeve, pret që gjykimi të nis nga 13 gushti.

“Ju keni përcaktuar kalendarin dhe me kalimin e kohës ne mendojmë që pavarësisht nga kufizimet ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona dhe t’i përmbahemi kalendarit të përcaktuar. Besojmë që do të jemi gati për gjykim në javën që fillon prej 13 gusht e tutje”, tha ai.

Të njëjtin mendim e ndau edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

“Edhe ne mendojmë dhe jemi në të njëjtin pozicion. Kemi vështirësi në zhvillimin e hetimeve dhe s’dua të hy në konflikte me prokurorinë. Kemi pasur probleme me disa linja të hetimeve. Shpresojmë që të bëjmë hetime të mëtejshme të mbrojtjes brenda 10 ditëve të ardhshme. Kjo do të varet edhe nga situata, sepse psh e gjithë Evropa është vendosur në kodin e kuq sa i përket pandemisë”, tha Cadman.


16:45 – Avokati i Haradinajt: Nuk mund t’i japë atji dokumente përtej xhamit në qendrën e paraburgimit

Mbrojtja e nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt është ankuar para Gjykatës Speciale për kushtet e paraburgimit, ku po qëndron i akuzuari, njofton Insajderi.

Toby Cadman në konferencën e sotme të ecurisë së çështjes ndaj Haradinajt dhe Hysni Gucatit, tha se nuk ka pasur mundësi t’ia japë një dokument klientit të tij përtej xhamit.

“Ne kemi vështirësi në marrjen e udhëzimeve. Të gjitha këto biseda që bëjmë bëhen nëpërmjet një xhami ndarës në mes. Duke pasur edhe kohë shumë të kufizuar, është e pamundur të kemi diskutime”.

“Kërkojë ndërhyrje nga gjykata të bisedojë me njësinë e paraburgimit, sepse në vizitën e fundit që i bëra Haradinaj nuk mund t’i jepja atij dokumentet përtej xhamit. Nuk është mënyra për të vazhduar punën me klientët tanë”, ka thënë ai.

Kësaj kërkese iu përgjigj gjykatësi Nichollas Guilloi.

“Unë dua të njoftoj administratorët në lidhje me kërkesën e avokatit Cadman”, tha ai.


16:36 – Specialja pranon 39 kërkesa për identifikimin e personit që i dërgoi dosjet në OVL-UÇK

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se janë pranuar disa kërkesa lidhur me identifikimin e personit i cili dorëzoi dosjet konfidenciale në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Insajderi.

Siç bëri të ditur Prokurori i Specializuar, janë 39 kërkesa për identifikimin e këtij personi, derisa është realizuar edhe intervistim, për të cilin është në dijeni edhe mbrojtja.

“Ne emi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së. Kemi nxjerrë informacion lidhur me hapat e ndërmarra sa i takon zbulimit të identitetit të personit. Bëhet fjalë për intervistë që ia kemi bërë të ditur edhe mbrojtjes. Nuk e dimë se çfarë duan të nxjerrin mbrojtja nëse kanë marrë orë të tëra regjistrime nga kamerat e rrugëve e do t’i shohin të gjitha ato”, ka thënë prokurori.

“Akuzat specifike kanë të bëjnë me ato që kanë bërë pas marrjes së informacionit dhe shpërndarjes. ZPS është shprehur se nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë proces, dhe s’ka pasur asnjë ndërhyrje tonën”, është shprehur ai.


16:30 – Mbrojtja e Gucatit: Kërkojmë njoftime të hollësishme nga prokuroria pa vonesë

Avokati mbrojtës i Hysni Gucatit në Gjykatën Speciale të Hagës, Jonathan Rees, ka deklaruar se mbrojtja kërkon nga Prokuroria e Specialuar që të bëjë njoftimin e hollësishëm mbi bazën e rregullës 102.3 pa vonesë, transmeton Insajderi.

“Rregulla 102.3 thotë që në këtë njoftim duhet të përfshihet cdo informacion i mbetur që është me rëndësi potenciale materiale për mbrojtjen e që mund të jenë materiale fajësuese, apo shfajësuese dhe duhet t’i referoheshin të gjitha materialeve, sendeve të prekshme e të tjera me rëndësi themelore juridike për mbrojtjen”.

“Ju z.Gjykatës keni thënë se prokuroi i ka dhënë mbrojtjes materiale që s’ishin të përfshira në njoftimin e rregullores. Ne kërkojmë një listë me njoftime të hollësishme që përmban të gjitha materialet e mbrojtjes pa vonesë. Prokuroria mesa shoh unë nuk e kupton apo s’duan të pranojnë se keni dhënë një vendim të qartë me një fushëveprim shumë të gjerë si për njoftimin e hollësishëm ashtu edhe për listën që kërkohen në bazë të rregullës 102.3”, tha ai.


16:15 – Prokuroria: Mbrojtja po kërkon dorëzimin e të gjitha materialeve, por mund të dorëzohen vetëm ato relevantet

Prokurori i Specializuar në Hagë ka deklaruar se mbrojtja e dy të akuzuarve, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, po kërkon të dorëzohen të gjitha materialet e shqyrtuara, por që Prokuroria nuk mund ta bëjë këtë pasi ky proces, sipas tij, do të duhet të kryhet vetëm për materialet që janë relevante për mbrojtjen, transmeton Insajderi.

Mirëpo, Prokuroria njofton se detyrimi i saj është që të njoftojë për të gjitha provat që ka në zotim. Sipas saj, mbrojtja e ka ngritur çështjen se dokumentet e dorëzuara janë të kufizuara, gjë që në të vërtetë nuk janë.

“Prokuroria ka detyrimin që të jap njoftimin e hollësishëm për të gjitha provat që ka në zotërim dhe që konsiderohet se janë pro apo kundër të akuzuarit. Ne e kuptojmë që mbrojtja do të kërkojë që të gjitha materialët që janë shqyrtuar të dorëzohen, ne nuk e kuptojmë se çfarë thotë kështu ligji. Ne kuptojmë që duhet të bëhet një vlerësim dhe njoftim që përmbanë të gjitha faktet të ndërlidhura me çështjen. Mbrojtja e ka ngritur çështjen se dokumentet e dorëzuara janë të kufizuara, si dhe ato që ua kemi dorëzuar ne juve i nderuari gjykatës. Materialet janë voluminoze dhe s’janë të kufizuara”, tha ai.

“ZPS nuk ka detyrimin që të jap njoftim për materialet që nuk janë relevante për mbrojtjen, prandaj mendoj që kjo është një çështje për të cilën kemi pikëpamje të ndryshme. Në lidhje me nxjerrjen e materialeve për mbrojtjen, ne përfshimë edhe atë që mendonim se duhej përfshirë në këtë njoftim.  Ato materiale që kemi dorëzuar nuk ishin në njoftimin sipas rregullave. Ne do të shohim se kur do t’i dorëzojmë këto materiale. Ne mendojmë se kemi plotësuar kërkesat dhe detyrimet tona sipas ligjit. Nuk na e bën të mundur kërkesa e mbrojtjes të kuptojmë se çfarë përfshihet dhe jo në detyrimet tona”, tha tutje Prokurori.

Prokurori i Specializuar në rastin e Gucatit e Haradinajt foli edhe për kërkesat ndaj palëve të treta, për çka tha se përgjigje për njërën nga këto kërkesa, nuk kanë marrë ende.

“Ne kemi thënë që kemi bërë dy kërkesa për palë të treta, dhe kemi marrë përgjigjen për një kërkesë. Po bëjmë ç’është e mundur të marrim edhe një përgjigje dhe ne do t’u informojmë nëse ka nevojë që të bëhen parashtrime tjera dhe hapa tjerë”, tha ai.


15:53 – Nis konferenca e ecurisë së çështjes ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Ka nisur konferenca e tretë për ecurinë e çështjes ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinajt, përcjell Insajderi.

Ata janë arrestuar me 25 shtator të vitit 2020 mbi akuzën për “pengim të procesit të drejtësisë” e “frikësim të dëshmitarëve”.

EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara kishte ndërmerr një aksion në zyrat e OVL-UÇK-së.

Madje, kishte konfiskuar edhe disa kompjuterë. Ato pajisje u kthyen gjashtë muaj më vonë, ditë më parë.

Akuza ndaj tyre ishte konfirmuar më 14 dhjetor 2020.

Ajo mbështetej në dyshimin e bazuar se mes 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur nga Ligji i Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat./Insajderi.com