Gjynahu i Naim Tërnavës – gënjeu për Shefqet Krasniqin

Gjynahu i Naim Tërnavës – gënjeu për Shefqet Krasniqin

Shefqet Krasniqi nuk do të mund të kthehet si imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë për arsyen e dhënë nga Naim Tërnava se ai nuk ka qenë asnjëherë imam në këtë xhami. Sipas myftiut ai ka qenë vetëm i angazhuar, shkruan Insajderi.

Por e vërteta del të jetë ndryshe nga ajo se çfarë po pretendon sot myftiu i Kosovës. Shefqet Krasniqi kishte qenë imam i Xhamisë së Madhe dhe ishte pranuar nga zëdhënësi i Bashkësisë Islami të Kosovës, Ahmet Sadriu.

Në një intervistë të publikuar gjatë ditës së sotme myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, nuk ka pranuar se Krasniqi do të mund të kthehet në postin e imamit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Myftiu ka përdorur si argument se Krasniqi nuk ka qenë asnjëherë imam në këtë xhami.

“Ai nuk ka qenë imam i xhamisë së madhe, ai ka qenë i angazhuar në xhaminë e madhe mirëpo ne kemi pas shumë të papunë dhe kemi të papunë, dhe nuk është e udhës që dikush të punon në tri vende të punës, po them Shefqeti është koleg i joni, i rregullt në fakultet, është profesor i angazhuar në shkallën e tretë në fakultet ku për këtë edhe ka mësuar dhe është shkolluar dhe kjo vetvetiu flet boll”, ka deklaruar Tërnava.

Tërnava ka përdorur edhe një argument tjetër përse Krasniqi nuk do të mund të kthehet në postin e imamit. Ai ka thënë se Krasniqi merr pagë si profesor në Fakultetin e Studimeve Islame si dhe si profesor i angazhuar në shkallën e tretë në fakultet

“Ai është profesor në Fakultetin e Studimeve Islame. Ju e dini që dy vendime nuk mundet me i pas njeri, a mundet, jo. Mundet me pas edhe 50 për qind të asaj sa i përket punë shtesë edhe atë e ka plus atë e ka, ai ligjëron edhe në shkallën e tretë në Fakultetin e Studimeve Islame do të thotë asnjë moment ky nuk është suspenduar, kështu duhet ta informoni opinionin jo të thoni të pavërtetën”, ka deklaruar Tërnava sot për Arbresh.info.

Sipas këtyre fjalëve të Tërnavës, Krasniqi mund të përfshihet vetëm në aktivitete të tjera si tribuna e ligjërata, por jo edhe si imam.

Por kishte qenë viti 2007 kur zëdhënësi i BIK-ut Ahmet Sadriu kishte pasur fjalë të tjera nga ato që sot po ka, Tërnava. Ai kishte pranuar se Krasniqi ka qenë imam i Xhamisë së Madhe.

“BIK-u ka kompetenca mbi xhamitë dhe në njërën prej tyre Hoxhë Krasniqi vazhdon të mbetet imam. Por, fakulteti është autonom në marrjen e vendimeve të veta”, deklaronte Sadriu atë kohë për Gazetën Express, teksa Krasniqi kishte një përplasje tjetër me BIK-un.

Imami Krasniqi ishte përjashtuar në vitin 2007 nga Fakulteti i Studimeve Islame, ku më pas ishte rikthyer përsëri.

Në vitin 2015 Krasniqi kishte deklaruar në një televizion lokal se është shkarkuar nga posti i imamit të Xhamisë së Madhe.

Si shkak për shkarkimin e tij kishin qenë hetimet për shkak të dyshimeve se ai ka bërë thirrje që shqiptarët t’i bashkohen luftërave të huaja në Siri dhe Irak.

Për këtë rast Krasniqi ishte gjykuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ku është shpallur i pafajshëm. Ai vazhdon të mos ushtrojë asnjë funksion në xhamitë në Kosovë, përderisa ftohet rregullisht nga një televizion lokal dhe një radio, për të ligjëruar./Insajderi.com