Gjyqtari Vata mohoi lidhjet me politikë – bëri “fushatë” për Ilmi Reçicën

Gjyqtari Vata mohoi lidhjet me politikë – bëri “fushatë” për Ilmi Reçicën

Gjyqtari i Ligës së Dytë së futbollit së Kosovës, Qëndrim Vata, mbrëmjen e kaluar ka krahasuar kryeministrin tashmë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me diktatorin korean Kim Jong Un, raporton Insporti.com.

Postimi denigrues u publikua në profilin e tij personal në facebook. Përveç manipulimit të fotografisë duke e paraqitur Albin Kurtin si diktatori korean, aty poashtu shkruhej se kryeministri në detyrë “ka vrarë njerëz në protesta.

Vata në një postim të ri është arsyetuar duke thënë se “disa persona të papërgjegjshëm kanë marrë në kontroll llogarinë time aktuale në facebook dhe kanë postuar foto që bien ndesh me etikën time”.

Më tutje ai ka demantuar lidhjet me politikë duke shprehur në mënyrë eksplicite se “unë i demantoj të gjitha lidhjet e mia me ndonjë parti politike e në veçanti anti-Vetëvendosje pasi jam njeri i sportit”.

Mirëpo një gjë e tillë nuk del të jetë plotësisht e vërtetë, pasi ka publikuar fotografi që dëshmojnë afërsinë e gjyqtarit me Elmi Reçicen dhe Mustafë Graincen, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë thirrje që të votohen ata.

Në një komunikim direkt me Insportin, gjyqtari Vata ka mohuar lidhjet me politikën.

“Dikush më ka hakuar llogarinë personale të Facebookut dhe kanë postuar fotografinë, pastaj unë e kam larguar. Jo, nuk kam asnjë lidhje me politiken” – është shprehur ai.

Kujtojmë që Kodeksi për mirësjelljen e anëtarëve të FFK-së afirmon vlerat pozitive themelore në sport duke potencuar sjelljen fer dhe korrekte të akterëve sportiv.

Thirrjet politike në llojit të tillë nuk i takojnë sportit dhe vëjnë dyshime në kredibilitetin e paanëshmërinë e gjyqtarëve.