Godfrey: Prioritet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Kandidati për ambasador të ri të SHBA në Serbi Anthony Godfrey ka thënë se prioriteti i tij do të jetë normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe gjetja e zgjidhjes të përhershme dhe të qëndrueshme.

Godfrey: Prioritet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Diplomati amerikan, i cili ishte zëvendës i ambasadorit në Moskë, thotë se është i vetëdijshëm për ndikimin malinj të Rusisë dhe thekson se interesi strategjik i SHBA është ta përkrahin Serbinë në rrugën e saj evropiane.

“Serbia është në udhëkryq dhe liderët duhet t’i zbatojnë reformat në mënyrë që vendi të përparojë kah BE”, ka thënë Godfrey në fjalimin e tij në Senat.

Ai thotë se shumë me rëndësi është stabiliteti rajonal dhe se Serbia është e detyruar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën në mënyrë që të përparojë kah BE.

Godfrey ka thënë se prioriteti i tij, nëse konfirmohet si ambasador, do të jetë normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe se do t’i përkrahë dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve.

“Jemi duke punuar në Beograd, Prishtinë, Uashington dhe Bruksel, të gjejmë një mënyrë që Serbia dhe Kosova të arrijnë deri te marrëveshja, të largohen nga hapat kundër produktive. Nevojitet që dyja palët të shkojnë përpara, ndërsa puna jonë është që këtë të mundësojmë”, ka thënë Godfrey në pyetje të senatores demokrate Jeanne Shaheen për atë se çfarë mund të bëhet që Serbia dhe Kosova të arrijnë deri te zgjidhja.

Shaheen ka thënë se dorëzimi i fundit i autoblindave luftarake ruse për Serbinë në Nish, atë dyfish e brengosë, për atë se Rusia dëshiron të ndikojë në situatën në Serbi dhe për atë se me këtë po frikësohen vendet tjera në rajon, duka pasur rolin e Serbisë në luftërat e viteve të nëntëdhjeta.

Kandidati për ambasador të ri në Serbi ka thënë se qëllimi i SHBA në Ballkanin Perëndimor është i kundërt me qëllimet e Rusisë, por se pajtohet me qëllimin e Serbisë të integrohet në Perëndim, dhe që do ta inkurajojë Serbinë të përparojë kah Perëndimi, gjë që përfshinë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Godfrey ka theksuar se do të vazhdojë me presion ndaj pushtetit në Serbi që t’i përfundojë hetimet mbi masakrimin e vëllezërve Bytyçi dhe do të bëj gjithçka që përgjegjësit t’i dorëzohen drejtësisë, pa marrë parasysh pozitave të tyre në pushtet.

Anthony Godfrey për momentin shërben si zëvendës i ambasadorit të SHBA në Moskë, dhe ka gati 40 vjet shërbim në Marinën amerikane dhe në diplomaci.

Gjatë karrierës diplomatike ka qenë zëvendës i ambasadorit në Armeni, dhe ka shërbyer edhe në ambasadat në Zagreb Dublin dhe në Minsk.

Ka diplomuar në Universitetin e Kalifornisë dhe flet rusisht, turqisht dhe serbo-kroatisht.

Është i martuar dhe ka tre fëmijë./Insajderi.com.