Rakiq (jo)deklaruesi

Goran Rakiq e deklaron pasurinë në Kosovë – në Serbi po ankohen

Politikanët serbë që kanë pozita zyrtare në Kosovë dhe vazhdimisht thonë se nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ndryshe flasin e ndryshe bëjnë. Për shembull, kur vije puna te deklarimi i pasurive ata ato i deklarojnë (megjithëse jo të gjitha) në Agjencinë Kundër Korrupsion në Kosovë e jo në institucionin homolog në Serbi. Serbët për këtë po ankohen. Po kërkojnë vazhdimisht llogari.

Goran Rakiq e deklaron pasurinë në Kosovë – në Serbi po ankohen

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq, nuk e raporton pasurinë e tij në Serbi. Këtë e bën (edhe pse jo krejtësisht) në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Kosovë.

Sikurse të shumë zyrtarëve të tjerë serbë, edhe të dhënat e Goran Rakiq për pronën dhe të ardhurat nuk figurojnë në Webfaqen Serbe të AKK-së, përçka në Serbi po ankohen vazhdimisht.

Një hulumtim për mungesën e llogaridhënies që institucioni serb po e ndjenë për këta zyrtarë të Kosovës, është bërë edhe nga Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS).

Në këtë hulumtim del se vetëm një numër i vogël i tyre respektojnë detyrimin ligjor, që institucionet në Serbi, pretendojnë se ata e kanë ndaj tyre.

Gazeta Online Insajderi është interesuar vecanërisht për zëvendëskryeministrin Rakiq. Ka pyetur në Agjencinë Kundër Korrupsion në Kosovë për deklarimet e pasurisë së tij.

Në një përgjigje për Insajderi-n, nga AKK thonë se Rakiq e ka bërë deklarimin e pasurisë në vitin 2019. Ndërsa informacionet për deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publikë për këtë vit, do të bëhen të ditura gjatë javëve në vazhdim.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se zyrtari në fjalë e ka bërë deklarimin e pasurisë në vitin 2019 dhe është i publikuar në web-faqen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ndërsa informatat për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikw për vitin 2020 do të publikohet nga AKK në javët në vijim dhe do të jenë në dispozicion të opinionit publik”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë Insajderi-it.

Rakiq përgjatë vitit 2019 kishte deklaruar se posedon tre objekte/shtëpi, me gjithsej 95 mijë euro vlerë monetare dhe një parcelë, me vlerë prej 350 mijë euro.

Përveç kësaj pasurie të paluajtshme të cilën e ka raportuar, Rakiq ka edhe një automjet të tipit “Grand Cherokee”, vlera e të cilit arrin në 10 mijë euro.

Ndonëse nuk e raporton pasurinë e tij në Serbi, zëvendëskryeministri i Kosovës mban të gatshme 50 mijë euro në njërin prej institucioneve financiare të Beogradit.

Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, në vitin që lamë pas ka marrë pagë mujore nga Qeveria e Kosovës, gjithsej një mijë e 80 euro në muaj, nga Fakulteti Ekonomik në Veri, 600 euro dhe një pension prej 200 eurove.

Këto janë çfarë Rakiq raporton në Kosovë.

Por, nga hulumtimi CINS-it serb, ai ka edhe të ardhura të tjera – e këto s’deklarohen askund.

Sipas Agjencisë së Regjistruesve të Biznesit në Serbi, Rakiq është edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Standard të shërbimeve, ndërsa që nga shtatori i vitit 2019, ai është bërë përfaqësues i Klubit të Futbollit “Trepça”.

Insajderi ka provuar të vë kontakt me zëvendëskryeministrin. Rakiq-it i janë dërguar pyetje rreth të ardhurave të tij që nuk i deklaron. Edhe pas disa ditë pritjeje, ai nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.

Përveç Rakiq, ka edhe shumë zyrtarë të tjerë serbë që ndër vite kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre duke përfituar nga institucionet e Kosovës, por që rroga të majme marrin edhe nga struktura paralele serbe që operojnë në Kosovë. Ata kanë operuar ashtu si u konvenon. Kur duhet të paguhen janë edhe zyrtarë kosovarë edhe zyrtarë serbë. Kur duhet të deklarohen – s’i njohin krejtësisht institucionet e asnjërit shtet.

Ndryshe, ekzistojnë më shumë se 100 institucione në Kosovë që financohen nga Serbia. /Insajderi.com/