Gostivar, situata me Covid-19 ende serioze

Gostivar, situata me Covid-19 ende serioze

Në qytetin e Gostivarit dhe rrethinë ka rritje të konsiderueshme të numrit të personave që janë shëruar nga Covid-19, por situata është ende serioze, njofton Urim Hasipi, korrespodent i Insajderi-it në Maqedoninë e Veriut.

Deri më sot autoritetet shëndetësore kanë shënuar 255 raste aktive. Kjo është konstatuar në takimin e shtabit rajonal të krizave për komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushe.

Për rajonin e Gostivarit në ditët e kaluara në raporte ka pasur numra dyshifrorë të rasteve të reja aktive, ndërsa javën e kaluar ishte në krye me 20 raste të reja.

Nga shtabi i krizave u dërguan thirrje qytetarëve dhe institucioneve për respektimin e vazhdueshëm të masave të mbrojtjes dhe veçanërisht për rritjen e ndërgjegjësimit për ekzistencën e sëmundjes.

“Për momentin, ka 389 njerëz të shëruar në zonën tonë. Prej tyre, vetëm javën e kaluar janë shëruar 106, që është më shumë se numri i të infektuarve të rinj. Me teste pozitive dhe në kushte shtëpie ndodhen dhe janë duke u mjekuar 232 persona. Në spitalet janë 23 pacientë”, tha Valbon Limani nga shtabi i krizave.

Që nga fillimi i pandemisë në tre komunat pozitivë në Covid-19 janë regjistruar 673 qytetarë, kryesisht në Gostivar 538, Vrapçishti 121 dhe Mavrovë Rostushe 14.

Prej tyre, 255 janë aktivë, nga të cilat 224 janë në territorin e komunës së Gostivarit, në Vrapçisht 29 dhe në Mavrovë Rostushe 2.

Deri më tani si pasojë e Covid-19 kanë vdekur 29 persona (Gostivar 21, Vrapçisht 7 dhe Mavrovë Rostushe 1).

Kurse janë kryer 2,298 testime. Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve të rinj në rajonin e Gostivarit dhe mbrojtjen shtesë kundër virusit Corona, është paralajmëruar dezinfektim urgjent i hapësirave publike dhe ndërtesave kolektive./Insajderi.com