Gratë që përdorin antibiotikë për më shumë se dy muaj, rrezikohen nga sulmi në zemër

Gratë që përdorin antibiotikë për më shumë se dy muaj, rrezikohen nga sulmi në zemër

Sipas një studimi amerikan, gratë që përdorin antibiotikë për më shumë se dy muaj, e sidomos ato që janë më të moshuara, rrezikohen më tepër nga sulmi në zemër.

Hulumtuesit e Universitetit të Tulanes në New Orleans paralajmërojnë se përdorimi afatgjatë i antibiotikëve mund ta rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare përmes largimit të baktereve të dobishme që ndodhen në zorrët tona.

Ky rrezik është më i theksuar te gratë më të vjetra se 60 vjeç, tek të cilat rreziku nga sëmundjet e zemrës rritet për 32 për qind në krahasim me gratë që nuk kanë përdorur antibiotikë gjatë tetë vjetëve të studimit.

“Përdorimi i antibiotikëve është faktori më kritik në ndryshimin e baraspeshës së mikroorganizmave në zorrë. Studimet e mëparshme kanë vërtetuar se ekziston lidhja mes ndryshimit të mjedisit të mikroorganizmave në zorrë dhe ngushtimit të enëve të gjakut, sulmit dhe sëmundjeve të zemrës”, tha profesori Lu Qi, autori i këtij hulumtimi.

Në këtë studim u përcoll gjendja e mbi 36 mijë grave, të cilat u monitoruan përgjatë tetë vjetëve. Gjatë kësaj periudhe, 1056 gra u sëmurën me sëmundje të zemrës.

Gjashtë në 100 gra mbi moshën 60-vjeçare që përdorën antibiotikë përjetuan sulm në zemër, ndërsa vetëm tri në 1000 gra të kësaj moshe që nuk kanë përdorur antibiotikë e përjetuan të njëjtën gjë.

Gratë që morën pjesë në këtë hulumtim kishin përdorur kryesisht antibiotikë për infeksionet në mushkëri, infeksione të traktit urinar dhe probleme me dhëmbë, shkruan “Independent”.