fbpx

“Grupi në arrest shtëpiak” ka një përfaqësues në Kuvend por a mund të marrë pjesë në seanca

“Grupi në arrest shtëpiak” ka një përfaqësues në Kuvend por a mund të marrë pjesë në seanca

Frashër Krasniqi është kandidati i vetëm nga grupi i të akuzuarëve për terrorizëm nga Lëvizja Vetëvendosje që ka arritur të hy në Kuvendin e Kosovës.

Kransiqi i cili së bashku me Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Atdhe Arifin ishin në listën e kandidatëve për deputet, ka arritur të hy në listën e 32 deputetëve të VV-së në Kuvendin e ri të Kosovës.

Krasniqi ka marrë 7 mijë e 237 vota dhe kësisoj ka arritur të bëhet deputet ndërsa pas tij më e votuara nga ky grup është Adea Batusha me 4 mijë e 700 vota.

Atdhe Arifi ka arritur të marrë 3 mijë e 730 vota ndërsa Egzon Haliti vetëm 1 mijë e 420  vota.

I akuzuari tjetër në këtë grup, Petrit Ademi, nuk ka qenë në listën për deputet.

Si njëri ndër të akuzuarit për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, Krasniqit dje me vendim të  Gjykatës Themelore të Prishtinës, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak deri me datë 28.08.2017.

Në rast të mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, para datës 28 gusht, Frashër Krasniqi, mund të marr pjesë në seancë vetëm me lejen e kryetarit të Trupit gjykues.

Avokati Tomë Gashi, ka shpjeguar rrugën ligjore që ia mundëson Frashër Krasniqit pjesëmarrjen në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Do të bëjmë një kërkesë të posaçme tek gjyqtari, përkatësisht kryetari i Trupit gjykues, Beqir Kalludra. Gjyqtari nuk ka kurrfarë arsye që të mos e lejojë këtë. Besoj se klienti im, Frashër Krasniqi si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk do të duhej të kishte asnjë problem për pjesëmarrje në seancat e Kuvendit të Kosovës”,  thotë Gashi  për gazetën “Monitor”

Por, nëse Krasniqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe pas datës 28 gusht 2017, atëherë Gashi thotë se leja duhet kërkuar nga kryetari i Trupit gjykues sa herë që Frashëri do të marr pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Nëse nuk ndryshon masa e arrestit shtëpiak e cila është vazhduar deri me 28 gusht, atëherë nëse seancat caktohen, do të duhet të kërkohet leje e veçantë, dhe besoj se Kryetari i Trupit gjykues do të lejojë një gjë të tillë. Ligji e lejon, kështu që nuk do të ketë kurrfarë problemi për pjesëmarrjen e tij në seancat e Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Gashi.

Në anën tjetër, pasi u përzgjodh si njëri ndër deputetët e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka falënderuar votuesit e tij duke premtuar se do t’i përfaqësojë besnikërisht.