Guterres bënë thirrje për qetësim të situatës në Gjirin Persik

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar se është esenciale të shmanget “çdo formë të përshkallëzimit” në Gjirin Persik, teksa tensionet janë rritur, pas rrëzimit të një droni amerikan nga Irani.

Guterres bënë thirrje për qetësim të situatës në Gjirin Persik

“Bota nuk mund ta përballojë një konfrontim të madh në Gjirin Persik”, tha Guterres në margjinat e Konferencës botërore të Ministrave për Rininë, që po zhvillon punimet në Lisbonë të Portugalisë.

Të enjten, Irani rrëzoi një fluturake amerikane pa pilot, një incident për të cilin Uashingtoni thotë se ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, fillimisht kishte miratuar, por më pas pezulloi sulme ajrore ndaj caqeve brenda Iranit, si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të dronit. Më vonë ai tha se këto sulme do të vrisnin të paktën 150 njerëz.

Teherani insiston se fluturakja pa pilot i rrëzuar ishte në territorin e tij dhe është zotuar se do të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi të SHBA-së.

Komentet e shefit të OKB-së, Antonio Guterres vijnë vetëm një ditë pasi presidenti Trump njoftoi se do të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit.

“Është absolutisht esenciale që të shmanget çdo formë e përshkallëzimit”, u shpreh Guterres.