“Gylenistët që u ekstraduan në Turqi rrezikojnë trajtimin më çnjerëzor të mundshëm”

“Gylenistët që u ekstraduan në Turqi rrezikojnë trajtimin më çnjerëzor të mundshëm”

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka kundërshtuar arrestimin dhe ekstradimin në Turqi të gjashtë gylenistëve që vepronin në Kosovë.

Sherifi, përmes një shkrimi në Facebook, e ka krahasuar këtë situatë në të cilën ndodhen gjashtë pjesëtarët e organizatës “Gulistan” me situatën në të cilën ndodhej Ramush Haradinaj kur kërkohej ekstradimi i tij nga Franca në Serbi.

Sipas deputetit të Nismës, gjashtë gylenistët rrezikojnë të trajtohen në mënyrën më çnjerëzore të mundshme në Turqi.

“Të rikujtojmë traumën që shkaktoi arrestimi i Ramush Haradinajt në Kolmar të Francës me kërkesë për t’u ekstraduar në Serbi. Falë një mobilizimi të gjithanshëm të shqiptarëve u shmang mundësia që Zoti Haradinaj të rrëmbehej dhe të përfundonte në Beograd në mënyrë të njëjtë si u rrëmbyen gjashtë qytetarë turq dhe u përcollën në duart të pushtetit të Ankarasë”, u shpreh Sherifi.

“Atë që bëmë për Ramush Haradinajn nuk e bëmë për njerëz, që fatkeqësisht janë më pak të njohur se zoti Haradinaj, por që rrezikohen të përjetojnë trajtimin më çnjerëzor të mundshëm”, ka thënë ai.

Sherifi ka përmendur se, sipas organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, Turqia është njëra nga vendet që i shkel më së shumti këto liri.

Ai ka thënë se arrestimi i gylenistëve është një krim i Qeverisë së Kosovës. /Insajderi.com