Hahn: Kosova s’është kushti i vetëm për anëtarësimin e Serbisë në BE

Hahn: Kosova s’është kushti i vetëm për anëtarësimin e Serbisë në BE

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se zgjidhja e cështjes me Kosovën nuk është kushti i vetëm për Serbinë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Sipas tij Beogradi të përfundojë dhe të përmbushë në plotni marrëveshjet e arritura me Prishtinën të cilat i kontribuojnë stabilitetit të rajonit, shkruan Vecernji Novosti, përcjell Klan Kosova.

“Duket se shumë, përfshirë politikanë, kanë përshtypjen që zgjidhja e çështjes me Kosovën është parakushti i vetëm për Serbinë në rrugën drejt BE-së. Por nuk është kështu. Implementimi i reformave në fushën e rendit dhe ligjit, të drejtat fondamentale dhe qeverisja e mirë mbeten në zemër të procesit të zgjerimit”, ka thënë Hahn.

Ai ka theksuar se asnjë shtet nuk mund të hyjë në BE pa zgjidhur çështjet e hapura bilaterale. Sipas Hahn për Serbinë kjo nënkupton “përfundimin dhe përmbushjen në pltoni të marrëveshjeve të arritura me Prishtinën”.

Komisionari Evropian ka thënë se në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit “një marrëveshje e përhershme nënkupton një zgjidhje që është e qëndrueshme, realiste dhe në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe BE-në”.

“Çdo marrëveshje duhet të jetë specifike dhe e thurrur mirë, jo të krijojë precedent por të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe në rrugën e rajonit drejt BE-së. Në të njëjtën kohë, BE nuk spekulon në elementet e mundshme të marrëveshjes përfundimtare ligjore”, është shprehur Hahn.

Ai ka shtuar se procesi i brendshëm i reformave në BE, forcimi i saj dhe puna me vendet kandidate që kanë shprehur vullnetin për t’u anëtarësuar në BE “mundet dhe duhet të shkojë paralelisht”.