Hahn: Maqedonia dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë drejt BE-së

Hahn: Maqedonia dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë drejt BE-së

Përderisa Britania e Madhe shkon kah largimi nga BE, Ballkani Perëndimor kryen presion për hapjen e derës së Bashkimit Evropian. Në pranverë, mund të jepet dritë e gjelbër nga Brukseli për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, shkruan gazeta austriake “Kurir”.

Për atë se Maqedonia dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë drejt BE-së, sipas gazetës, ka vërtetuar edhe komisari evropian për zgjerim, Johannes Hahn në takimet me gazetarë të rajonit në Tiranë.

Kryetari i KE-së, Jean Claude Juncker e përmendi vitin 2025 si termin i mundshëm për pranim të anëtarëve të rinj të BE-së, por sipas Hahn, asnjë shtet nuk ka garancë se do të pranohet atë vit. Vendosja e datave konkrete mund të jetë rrezik për vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat nuk do të arrijnë, të mbeten në pritje dhe të bëjnë regres.

Procesi i anëtarësimit është proces i vazhdueshëm reformator, ndërsa ajo se cili nga këto shtete do të anëtarësohet më herët nuk është vendosur, ka thënë Hahn gjatë takimit me gazetarët në Tiranë.

Në shkurt, Komisioni do të prezantojë strategji për Ballkanin Perëndimor për përforcim të mëtejmë të perspektivës evropiane dhe për reformat e domosdoshme në rajon. Nota pozitive e pritur për Maqedoninë dhe Shqipërinë, të cilat janë në rrugën e duhur, duhet të sigurojë bazë për shtetet anëtare të BE-së të hapin rrugën për negociatat për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën.

Moment tjetër pozitiv i cekur nga Hahn është edhe atmosfera e përmirësuar në marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë dhe me këtë hapen mundësitë që në muajt e ardhshëm të zgjidhet çështja e emrit dhe të tërhiqet bllokada greke ndaj Maqedonisë.

Për Shqipërinë përmendet problemi me mijëra shtetas të Shqipërisë që kërkojnë azil në BE, gjë që ndikon në imazhin e vendit dhe për këtë arsye duhet të ndryshojë, por kjo nuk bëhet për një vit ose dy.

Është diskutuar edhe për nevojën që liderët e shteteve anëtare të BE-së të flasin me qytetarët e tyre për dobitë nga zgjerimi i mëtejmë.