Hajdar Beqa tregon për raportet e tij me njeriun e dyshuar për fajde që PDK e ka denoncuar

Hajdar Beqa tregon për raportet e tij me njeriun e dyshuar për fajde që PDK e ka denoncuar

Deputeti i PDK-së dhe kryetari i degës së kësaj partie në Gjakovë, Hajdar Beqa ka treguar se si e njeh Rrahim Hashimin, biznismenin e përfshirë në skandalin e fundit ku përfshihen disa persona me fajde. Ky i fundit, shihet të ketë pasur histori miqësore me disa nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.

Me të dalë ky skandal, filluan që të qarkullonin disa fotografi, teksa Hashimi shihet me disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Hajdar Beqa ka thënë se publikimi i atyre fotografive është bërë nga njerëz dashakqinjë, teksa është zotuar se nuk e ka ditur se me çfarë veprimtarie merret ai (Rrahim Hashimi).

“Unë realisht nuk kam dashur që t’i komentojë këto foto që kanë dalë nëpër rrjete sociale. Ato kanë dashur nga dashakqinjët, ku kemi raste të tjera, kur bëhen këto gjëra më qëllime të caktuara. Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe kemi shumë raste kur shumë qytetarë kërkojnë që të bëjnë fotografi me neve dhe të konsultohen me neve. Sa i përket asaj se cila është veprimtaria e personave që bëjnë fotografi me mua, unë nuk jam as prokuror e as hetues. Në momentin kur e kisha ditë që një person ka një kaluar të errët ose që merret me ndonjë veprimtari të jashtëligjshme, nuk do të rrija me të, por që paraprakisht nuk e kam ditur”, ka thënë Beqa për Gazetën Blic.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se ai e ka ditur se Rrahim Hashimi, ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë, sipas tij, e ka mësuar nga një mik.

“Sa i përket Rrahim Hashimit, unë e kam ditë që ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë e kam njoftë përmes një miku, dhe kemi pirë kafe disa herë me të, pasi që përmes disa miqve ka ardhur dhe është ulur në tavolinë”.

Hajdar Beqa shton se ai posedon fotografi me hiç më pak se 10 mijë qytetarë të Kosovës, teksa thotë se veprimtarinë e tyre përveç që nuk mund ta di ai, edhe nuk mund ta caktojë – “janë organet e drejtësisë që e bëjnë atë”.

“Ma ka prezantu një mik në tavolinë, më ka thënë që është ish-ushtar. Ka pi kafe disa herë me neve. Por, unë jam shumë i sigurt që kam foto me 10 mijë qytetarë të vendit. Kurse, sa i përket personave që bëjnë vepra kriminale, atëherë është dikush tjetër që duhet të merret me ta: është Prokuroria dhe Gjykatat”.

Kryetari i PDK-së në Gjakovë, ka thënë se Rrahim Hashimin, është njoftuar ditëve të fundit, nga mediat. Teksa, shton se asnjëherë nuk është takuar i vetëm me të.

Thotë se të gjithë ato herët kur janë takuar, këtë e kanë bërë përmes një mikut të tij.

“Nuk di asgjë më shumë për Rrahim Hashimin, më shumë se që kam parë ditëve të fundit në portale. Ka nejt me mu disa herë, por kanë qenë shumë persona aty. Ka kërkuar fotografi dhe ka bërë së bashku me mua. Por, asnjëherë nuk kam nejt me Rrahim Hashimin vetëm ne dy”.

Beqa thotë se Rrahim Hashimi, është parë të ketë pasur takime me disa figura tjera më të larta se ai. Por, nuk pranon që t’ua përmend emrat.

“Unë e pashë zotërin Hashimi, me shumë figura tjera, që janë figura shumë më të mëdhaja se une, në nivele më të larta sesa unë. Por, që nuk është në kompetencën time që të flas për ta”.

“Por, unë iu bëj thirrje Prokurorisë së vendit, që ta hetojë deri në fund këtë ngjarje. Të dalin të gjithë ata që kanë pasur lidhje me këta persona. është e rëndësishme që të dilet me hetim të detajuar, e jo të flitet kështu dhe të akuzohen njerëzit pa pasur hetim të qartë, sikur kjo që po përdoret emri i zotërit Veselit”.

Deputeti i Partisë së Kadri Veselit, zotohet sikurse shefi i tij i partisë, se nëse gjindej ndonjë lidhje biznesore me Hashimit, atëherë ai do të jap dorëheqje.

“Edhe unë po e them në mënyrë të hapur dhe të qartë, që nëse del ndonjë lidhje në këtë Kosovës, me një njeri, edhe me Rrahim Hashimin, përvec asaj që e thash, atëherë do të jepja dorëheqje brenda 15 minutave dhe do kërkoja falje nga qytetarët e vendit”.

Hajdar Beqa në fund u shpreh se i qëndron prapa deklarimeve të PDK-së lidhur me hetimet për rastin e grupit që është marrur me fajde, duke thënë se kërkon që të zbardhet sa më parë ky rast dhe të gjithë ata që janë të përfshirë të dalin para drejtësisë.

“Sa i përket hetimeve ndaj tij dhe asaj që ka dalur ditëve të fundit, atëherë nuk kam cka të shtoj më shumë se që e ka dhënë Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë deputeti Beqa