Haki Abazi mbrëmë tha se nuk e kanë veriun në kontroll, Qeveria sot e përgënjështron

Haki Abazi mbrëmë tha se nuk e kanë veriun në kontroll, Qeveria sot e përgënjështron

Me vendim të Serbisë, nga ora 18:00 e së premtes, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi, shkruan Gazeta Insajderi.

Lidhur me këtë, zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi mbrëmë në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, e pranoi që që Qeveria e Kosovës nuk ka kontroll të plotë në pjesën veriore të Kosovës.

Abazi, theksoi se për 20 vite, veriu ka qenë në një administrim që iu është lënë Serbisë.

“Nuk do të ishte e sinqertë nëse nuk themi që veriu ka qenë në një administrim që iu është lënë Serbisë dhe forcave që 20 vite. Policia e Kosovës është prezente atje, ne siç thash kemi komunikuar dhe bashkëbisedu me kryetarët e komunave në veri. Sigurisht që Serbia është problem në Kosovë, jo vetëm në veri por edhe në komunat e jugut, e dimë që me vite flamuri serb ka valuar nëpër qendrat e komunave me shumicë serbe, ka pas institucione paralela që kanë funksionuar  dhe janë lejuar me fonksionu që 20 vite” tha Abazi.

Tutje, ai u shpreh se zgjidhja për kontrollin e veriut, është çështje përbrenda dialogut me Serbinë.

“Sigurisht nuk kemi qenë në gjendje që për 50 ditë me e zgjidh këtë problem”, u shpreh Abazi mbrëmë në “Debat Plus. Për zgjidhe edhe politike e kontrollit të veriut, sigurisht janë çështje që janë përbrenda edhe dialogut me Serbinë, por edhe të dialogut me serbet me serbët lokal”, u shpreh Abazi.

Por, këto deklarata të zëvendëskryeministrit Abazi, po i demanton zëdhënësi  i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu,

Ai është shprehur se autoritetet e Kosovës janë të përfshirë në menaxhimin e situatës së shëndetit publik edhe në komunën e Mitrovicës Veriore dhe në Zveçan, shkruan Insajderi.

“Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën e emergjente të shëndetit publik në komunën e Mitrovicës Veriore dhe Zveçan. Ministri  i kësaj ministrie. Arben  Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna”, tha Kryeziu për EO.

Kryeziu, gjithashtu ka shtuar se po ballafaqohemi me një krizë shëndetësore për çka të gjitha institucionet e përfshira janë në koordinim të ngushtë që ta tejkalojnë ketë krizë sa më parë që është e mundur dhe sa më pak dëme e sa më lehtë.

Ndryshe, lajmin për futjen në karantinë të Mitrovicës Veriore dhe Zveçani, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, e ditur nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili tha se vendimi është marrë nga shtabi i krizës.

Karantina do të thotë se asnjë qytetar nuk do të lejohet të dalë e as të hyjë në këto hapësira, ka thënë Rakiq.

Ai tha se ndalesa nuk vlen për nevojat mjekësore, prodhimin dhe furnizimin me ushqime dhe barna. Përjashtim bëjnë edhe ata që ofrojnë shërbime që lidhen me pandeminë e koronavirusit.