fbpx

Hakmarrja ndaj profesor Hajrullahut për denoncimin e diplomimit rekord të kushëririt të Hajredin Kuçit

Denoncimet e keqpërdorimeve në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, po i kushtojnë profesorit Arben Hajrullahu. Ai pretendon se dekani i këtij fakulteti, Bujar Dugolli po i hakmerret, duke mos e zgjedhë së fundmi në pozitën e profesorit, edhe pse aty punon që nga viti 2006. Dekani Dugolli mohon të ketë diçka personale në këtë rast. Fakulteti thotë se Hajrullahu nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me konkurs.

Hakmarrja ndaj profesor Hajrullahut për denoncimin e diplomimit rekord të kushëririt të Hajredin Kuçit

Profesori Arben Hajrullahu nuk është rizgjedhë në pozitën e profesorit në Fakultetin Filozofik në konkursin e fundit për staf akademik. Fakulteti arsyetohet se Hajrullahu nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me konkurs. Thonë se nuk e ka paraqitur diplomën e nivelit të studimeve Baçelor.

Kjo është e vërtetë – profesor Hajrullahu nuk ka diplomë Baçelor. Por thotë se ka arsye që nuk e posedon atë. Sepse kishte magjistruar dhe doktoruar në Austri, në një sistem krejt tjetër nga ai që sot aplikohet në Kosovë (sistemi i Bolonjës). Ai thotë se sistemi i studimeve në Austri përfshinë ato para-doktorale, të cilat njihen si studime të integruara “diploma degree program”. Pra, sipas tij, ky lloj i studimeve në fakt, me sistemin e aplikueshëm në Kosovë, përfshinë edhe studimet baçelor dhe të magjistraturës.

Por kjo nuk po i intereson Fakultetit Filozofik – ata po ia kërkojnë diplomën baçelor.

Megjithatë, është i njëjti profesor, me të njëjtin dokumentacion, i cili për herë të parë kishte lidhur kontratë të rregullt me Fakultetin Filozofik qysh në vitin 2006. Dhe prej atëherë profesor Hajrullahu punon dhe ligjëron aty.

Hajrullahu, në një shkresë drejtuar dhjetë institucioneve, përfshirë edhe tri ambasadave të huaja në Kosovë, vendimin e Fakultetit e konsideron si pengesë të qëllimshme dhe kërkon parandalimin e keqpërdorimit të konkursit publik në Universitetin e Prishtinës dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave të ushtrimit të profesionit dhe të drejtave të njeriut.

Ai e drejton gishtin kah dekani Bujar Dugolli, për të cilin thotë se po i hakmerret për denoncimet që ia ka bërë atij dhe disa njerëzve tjerë në degën e Filozofikut. Këtë ndikim ai thotë se dekani Dugolli po e ushtron përmes anëtarit të komisionit, Agim Zogaj, i cili në cilësinë e anëtarit të Komisionit Vlerësues, është i vetmi që ka dhënë vlerësim negativ për profesor Hajrullahun.

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga Dekani Bujar Dugolli, në bashkëpunim me të emëruarin e tij në Komisionin Vlerësues, Prof. Agim Zogaj, edhe në këtë rast konsideroj që ndër të tjera është i motivuar për arsye hakmarrëse. Ndër vite unë kam ushtruar kritikë publike dhe kam denoncuar në menaxhmentin e UP-së, publikisht, por edhe përmes organeve të drejtësisë, manipulimet dhe keqpërdorimet që kam vërejtur”, thuhet në shkresën e profesor Hajrullahut.

Profesori Agim Zogaj nuk u është përgjigjur ende këtyre pretendimeve. Nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Insajderit.

Gazeta ka kërkuar sqarim edhe nga dekani Bujar Dugolli për akuzat e profesor Hajrullahut. Ai ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve. Ka kërkuar që si përgjigje të merret sqarimi publik që e ka bërë Fakulteti Filozofik përkitazi me pretendimet e profesorit Arben Hajrullahu, duke shtuar se nuk ka asgjë personale në këtë rast.

Në sqarimin e 7 prillit, Fakulteti Filozofik thotë se konkursi ka qenë publik dhe jo i rezervuar për ndonjë kandidat.

“Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë të interesuarit si nga brenda universitetit, ashtu edhe jashtë tij. Duhet thënë, që asnjë vend pune, përfshirë edhe pozitën për të cilën ka aplikuar zt. Hajrullahu, nuk është i shpallur për një person të paracaktuar”, thuhet në sqarimin e fakultetit.

Arsyeja pse është refuzuar profesor Hajrullahu, sipas fakultetit, është se nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara me konkurs, duke e theksuar mungesën e dokumentacionit.

“Arben Hajrullahu, i doktoruar dhe magjistruar në Universitetin e Vjenës; nuk ka dorëzuar diplomë të studimeve baçelor ose barasvlerën përkatëse të këtyre studimeve; ka dorëzuar më vonë pas mbylljes së konkursit një sqarim për sistemin e atëhershëm të studimeve në Austri, i cili nuk është i aplikueshëm, sepse kandidati nuk ka sjellë në Fakultetin Filozofik dokumente, që mbështesin kryerjen e studimeve themelore, brenda kohës së paraparë të aplikimit, e cila gjë kërkohet ligjërisht specifikisht me konkurs”, vazhdon sqarimi i fakultetit.

Por Hajrullahu thotë se të gjitha diplomat e studimeve i ka të nostrifikuara në Ministrinë e Arsimit. Dhe me të njëjtat dokumente ai kishte lidhur kontratë me këtë fakultet qysh në vitin 2006.

Pavarësisht kësaj, Këshilli i Fakultetit propozon rishpalljen e konkursit, pasi thotë se asnjëri nga katër kandidatët nuk i ka plotësuar kushtet.

“Këshilli i Fakultetit Filozofik ka konstatuar, se asnjëri nga kandidatët nuk i ka dorëzuar dokumentet e kërkuara me konkurs dhe ka rekomanduar përsëritjen e konkursit”, thuhet në sqarim.

Por diçka del kontradiktore në këtë rast. Fakulteti thotë se profesor Hajrullahu ka pasur mungesë dokumentacioni, kurse në anën tjetër i nënshtrohet Komisionit Vlerësues, ku vetëm një anëtar nxjerr vlerësim negativ.

Arben Hajrullahu denoncoi diplomimin “rekord” të punonjësit të UP-së

Gazeta Insajderi kishte siguruar korrespodenca interne mes profesorëve të Fakultetit Filozofik, të bëra nëpërmjet e-maileve. Aty zbulohet se një student, i punësuar në Rektoratin e UP-së, kishte diplomuar në mënyrë të dyshimtë.

Përgjegjësinë ai e hedhet tek tre shefat e filozofikut: dekani Bujar Dukolli, prodekani për çështje mësimore Dashamir Bërxulli dhe Afrim Hoti, shef i degës së Shkencave Politike.

Krejt kjo kishte ndodhur për shkak se profesor Hajrullahu kishte kërkuar sqarim se si ka mundësi që ky student brenda një muaji ta përfundojë provimin e fundit të vitit të parë, po ashtu edhe provimin e fundit të vitit të dytë, dhe në po të njëjtin muaj edhe të diplomonte.

“Pra, unë nuk e kuptoj se si është e mundur që studenti në fjalë p.sh. në po të njëjtin afat të përfundoj edhe provimin e parë të studimeve BA (“Hyrje në Shkencën Politike”), po edhe të mbroj tezën BA dhe me ketë të diplomoj”, thuhet në e-mailin që Hajrullahu iu dërgoi tre shefave të Fakultetit Filozofik.

I akuzuar direkt nga Hajrullahu në këtë rast ishte Afrim Hoti, shef i departamentit për Shkenca Politike. Hoti përmendet në e-mailin e Hajrullahut në aspekt negativ. Bazuar në këtë shkëmbim e-mailesh, Hoti e kishte ftuar Hajrullahun që të takoheshin në zyrën e tij, për të sqaruar situatën.

Ftesa e Hotit ishte refuzuar. Hajrullahu kërkonte sqarim vetëm me shkrim. Kjo e revolton Hotin. I shkruan Hajrullahut se nga ai nuk do të marrë sqarim as me shkrim e as me gojë.

Por për rastin e studentit, për të cilin dyshonte Hajrullahu, shefi i degës, Afrim Hoti, nuk kishte asnjë dilemë, thoshte se gjithçka ka shkuar në rregull dhe në përputhje me Statutin e UP-së.

“Si parim e kam kur studenti e ka vetëm një provim për të diplomuar, unë ia jap edhe një shans që brenda afatit të pyetet edhe njëherë, apo e bën një punim hulumtues, dhe e pyes rreth punimit”, kishte thënë Hoti për Insajderin.

I pyetur se sa është e mundur që një student ta bëjë një punim të mirë për rreth dy javë, Hoti nuk e vë fare në dilemë një gjë të tillë.

“Studenti i mirë për dy javë apo dhjetë ditë ta bën edhe temën e diplomës”, kishte thënë Hoti.

Insajderi kishte kërkuar nga Fakulteti Filozofik edhe qasje në dosjen e studentit, por një gjë e tillë nuk ishte mundësuar.

Ky rast është iniciuar edhe te Avokati i Popullit, i cili e ka vlerësuar si të pranueshme ankesën e profesor Hajrullahut.

Letër e hapur për rektorin Marjan Dema kundër diskriminimit akademik

Pikërisht për rastin ndaj profesorit Arben Hajrullahu kishin reaguar një grup prej 13 profesorësh të cilin kanë studiuar dhe që tash ligjërojnë nëpër universitete të ndryshme të botës.

Në një letër të hapur drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Dema, ata kanë kërkuar që të rastin e Hajrullahut të mos ketë diskriminim akademik.

“Ne të poshtëshënuarit, doktorantë dhe staf akademik në Universitete të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me trajtimin e Profesor Arben Hajrullahut nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP)”, thuhet në letër.

Pengimi i rizgjedhjes së Profesor Hajrullahut, thuhet  në letër, duket të jetë i ndërlidhur me aktivitetin e tij në shërbim të ngritjes së llogaridhënies, përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie, dhe parandalimit të shkeljeve të normave akademike në UP.

“Profesor Hajrullahu është ndër të rrallët që ka kritikuar dhe denoncuar publikisht parregullsi dhe keqpërdorime në institucionin ku punon. Prandaj ne jemi posaçërisht të shqetësuar që ky rast paraqet tentim për heshtjen e zërave të pavarur në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të vendit”, vazhdon letra drejtuar rektorit.

Ata i kanë bërë thirrje Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të parandalojnë çfarëdo keqmenaxhimi të konkurseve publike./Insajderi.com