Haliti deklarohet për ftesat e fundit nga Gjykata Speciale: Ata që janë të pastër të rrin të qetë

Haliti deklarohet për ftesat e fundit nga Gjykata Speciale: Ata që janë të pastër të rrin të qetë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi së fundmi kanë marrë ftesë nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, ku do të paraqiten javën e ardhshme. Pos tyre, nga kjo gjykatë mund të ketë ftesa edhe për zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, ndonëse disa ftesa të reja për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ardhur gjatë këtyre ditëve, por të cilat ende po mbahen fshehtë, shkruan gazeta “Zëri”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës e njëherësh deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë për “Zërin” se procesi i hetimeve nga Gjykata Speciale ende është duke u zhvilluar dhe sipas tij ish-pjesëtarët e UÇK-së të cilët janë të pastër duhet të jenë të qetë nëse marrin ftesa nga Specialja.

“Duke qenë se ishte një proces shumë i rëndë me akuza shumë makabre ndaj përfaqësuesve dhe prestarëve të UÇK-së në raportin e Dik Martit, mendoj që institucionet e Kosovës kanë vepruar në drejtim të asaj që të ballafaqohen me akuzat sa i përket çështjes së UÇK-së, së kaluarës së saj, problemeve që ka pasur bashkësia ndërkombëtare dhe kërkesa për t’u bërë një gjykatë që vlerëson akuzat të cilat janë bërë kundër UÇK-së. Të gjithë ata që e ndiejnë veten se janë të pastër dhe të panjollosur, me veprime që mund të jenë të dënueshme për gjykatën, mendoj që duhet të jenë të qetë edhe kur t’i thërrasin”, ka thënë ai.