Hamiti kërkon të shpalosen platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së

Hamiti kërkon të shpalosen platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti u ka kërkuar kandidatëve për të parin e kësaj partie që të shpalosin platformat e tyre dhe “ta bindin anëtarinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur”, njofton Insajderi.

Sipas tij, platformat e katër kandidatëve për kryetar të LDK-së, (Lutfi Hazirit, Anton Qunit, Lumir Abdixhikut dhe Besjan Mustafës) duhet të shpalosen para anëtarisë së partisë para të dielës, kur edhe do të mbahet Kuvendi për zgjedhjet e kryetarit.

“Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte.

Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik. Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?”, ka shkruar ndër të tjera Hamiti në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se platforma është kornizë e synimeve kryesore që përkrah një parti politike apo kandidat për të tërhequr publikun.

“Edhe tash e tutje, në rrethana të reja, në dekadën e tretë të shekullit tonë, LDK-ja duhet të rimëkëmbet si parti antikomuniste, formacion politik që është i lidhur me trollin, me zakonet, me traditën shqiptare dhe me historinë e Kosovës; të punojë për demokraci, kundër kulturës së pushtetit absolut; për Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, të pacenuar në punë të territorit, si zgjidhje e përhershme”, ka shkruar Hamiti./Insajderi.com