“Hamza e ka shkelur ligjin për BQK-në”

“Hamza e ka shkelur ligjin për BQK-në”

Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, pati një përplasje me ministrin e Financave Bedri Hamza, i cili ka qenë guvernator i BQK-së, duke thënë se ka bërë shkelje ligjore kur ka vendosur të japë dorëheqje nga BQK-ja vetëm një ditë para se të bëhej ministër, derisa ligji thotë se duhet të tregoj tre muaj përpara.

“Guvernatori që ka qenë përgjegjës për periudhën që flet ky raport është këtu, por tani në cilësi tjetër, është ministër i Financave. Dua t’ia përkujtoj ish guvernatorit, tani ministër i Financave, nenin 43 të ligjit për BQK-në. Dhe neni 43 thotë kështu. ‘Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët duhet të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim presidentin ose bordin e BQK-së, të paktën 3 muaj përpara’. Zotëri guvernator, tani ministër ka dhënë dorëheqje vetëm një ditë para se të emërohej ministër. Tani kemi një ministër që ka ardhur në detyre duke bërë shkelje ligjore të një pozitë të mëhershme”, tha Pantina.

Por, Pantina mori përgjigje nga Ministri i Financave Bedri Hamza, i cili tha se nuk e ka shkelur asnjë ligj. Hamza: Asnjë shkelje ligjore s’e kam bërë

“E lexove ligjin, e lexove mirë, është mirë që në Kuvend ka jurist të mirë dhe i respektoj. Por ka dallim të madh mes asaj mundet dhe duhet. Edhe këtë juristët na sqarojnë dhe kjo mundet dhe duhet është goxha dallim i madh dhe nuk e kam bërë asnjë shkelje, sepse kur është mundet, nuk e dinë, nuk ka mundësi, kështu që në aspektin ligjor është shumë në rregull”, u shpreh Hamza.

Në seancën e Kuvendit deputetët ende janë duke e diskutuar raportin e Bankës Qendrore.