Hapat që ndoqi “armata” e Juventusit për të shkuar në finale

Hapat që ndoqi “armata” e Juventusit për të shkuar në finale

Juventus shkon në finalen e Champions League, dy vjet pas herës së fundit ku u mposht nga Barcelona dhe këtë herë sërish do të ketë një kundërshtar spanjoll, në Kardif, më 3 qershor. Bardhezinjtë e Allegri kanë fituar 2-1 në ndeshjen e kthimit dhe janë kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 4-1 ndaj Monaco.

Kampionët e Italisë nuk humbasin prej 51 ndeshjesh në fortesën “Juventus Stadium”. Monaco e nisi ndeshjen më mirë, si një javë më parë në Montekarlo, por “Zonja e Vjetër” çdo minutë që kalonte tregoi se cila ishte skuadra më e fortë e kësaj gjysmëfinaleje.

Mario Mandzukic shënoi golin e parë për bardhezinjtë, pas 33 minutash lojës, pas krosimit të marrë nga Dani Alves. Ky ishte asist numër 4 për Alves në këtë edicion të Champions Leauge. Juventus koleksionoi disa raste të tjera për shënim gjatë një pjese të parë, që e mbylli duke dominuar totalisht dhe duke gjetur golin e dytë.

Dani Alves, ndër më të mirët në sfidën 180 minutëshe kundër Monaco, tundi rrjetën me një goditje të saktë fluturimthi nga jashtë zone. Kjo ishte ndeshja e 100-të për brazilianin që e ka fituar Champions League dy herë të tjera me fanellën e Barcelonës.

Në pjesën e dytë, Kylian Mbappe shënoi golin e nderit për Monaco, duke u bërë futbollisti më i ri në histori që shënon në gjysmëfinalen e Champions League, teksa është 18 vjeç e 140 ditë. Ai ndali pathyeshmërinë prej 700 minutash të Buffon në Ligën e Kampioneve. Në vitin 1998, kur Buffon debutoi te kombëtarja e Italisë, Mbappe nuk kishte lindur…

Në finalen e Karfidit, më 3 qershor në Uells, me shumë gjasa Juventus do të ndeshet me Real Madrid. “Los Blancos” janë favorit ndaj Atletico Madrid, pasi kanë fituar 3-0 në derbin e parë të gjysmëfinaleve. Të mërkurën në “Vincente Calderon” luhet ndeshja e kthimit.