Hapet konkursi për diplomatët e rinj

Hapet konkursi për diplomatët e rinj

Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të Ministrit në detyrë Glauk Konjufcës, ka njoftuar se sot për herë të parë është shpallur konkursi i brendshëm për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se më nuk ka dërgime në misione e gradime të diplomatëve të cilat bëhen me arbitraritet e në tavolinë të Ministrit.

Sipas tij, tash e tutje do të ketë procedura transparente, me kritere objektive dhe rezultate të drejta dhe meritore.

“Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, kishte shkarkuar nga pozitat e konsujve 14 veta më 20 shkurt të këtij viti. Për disa nga ta është raportuar se janë emëruar kundërligjshëm dhe se kanë pasur lidhje të ngushta me partitë.

Në këtë listë bëjnë pjesë këshilltarja e Ramush Haradinajt, të afërm të zyrtarëve të partive politike  e plot zyrtarë të AKR’së, të emëruar nga shefi i tyre, Behgjet Pacolli, sa mbante pozitën e ministrit të Jashtëm.

Përveç konsujve, Konjufca kishte marrë vendim edhe për shkarkimin e disa ambasadorëve duke përfshirë edhe ambasadoren Vlora Çitaku.

Përveç Çitakut, Konjufca ka shkarkuar edhe Edon Canën, Lirim Grejçevcn, Shpend Kallabën, Mimoza Ahmetajn, Ylber Hysën si dhe Ramadan Avdiun.

Sipas Konjufcës së lartcekurve i ka përfunduar mandati 4 vjeçar./Insajderi.com