Hapja e arkivave ndihmon në çështjen e të pagjeturve, thotë Odaloviq

Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë 1,643 të persona të pagjetur si pasojë e konfliktit të fundit në Kosovë, 21 vjet më parë.

Hapja e arkivave ndihmon në çështjen e të pagjeturve, thotë Odaloviq

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq, e vlerëson si shumë të rëndësishme faktin që çështja e të zhdukurve është përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, nga Kosova dhe Serbia.

“Na duhet një shtytje e re, një cilësi e re në atë që bëjmë dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që kjo çështje është njohur në Uashington dhe Bruksel”, thotë Odaloviq në një interviste për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Në dokumentet e nënshkruara nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, të dyja palët janë zotuar se do të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.

Ndërsa në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, palët kanë diskutuar së fundmi edhe për çështjen e të zhdukurve.

Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë 1,643 të persona të pagjetur si pasojë e konfliktit të fundit në Kosovë, 21 vjet më parë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi kanë akuzuar palën serbe për fshehjen e informacioneve për vendndodhjen e varrezave masive.

Së fundmi qeveria e Kosovës përmes një deklarate ndër të tjera ka thënë se “Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”./Insajderi.com