Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë i Kosovës dhe njëherit kandidat për president, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha e duhur që Kosovës ai i duhet më shumë si president se si kryeministër.
“Qytetarët e Kosovës kërkojnë reforma dhe një dinamikë të re në vend. Me siguri edhe një qeverisje dhe një kryeminisër të denjë. Ekuilibër politik, duke e parë se ne në rajon ende nuk jemi anëtarësuar në NATO, OKB. Në këto rrethana të reja, i duhem vendit si president, që të krijojë një ekuilibër politik dhe institucional. Duhet të fuqizohen marrëdhëniet tona me aleatët tanë, e veçanërisht rrugëtimi kryesor është anëtarësimi në NATO”, tha ai në Syri Tv.
Ai thotë se edhe pse shërbimi që ai i ka bërë vendit ka qenë 2 vjet në tërësi, por ka bërë punë të dy dekadave.
“Me presidentin Rugova fillimisht kemi bërë bashkimin e vendit e pastaj kemi vendosur rendin publik. Ndërsa në qeverisjen time të fundit, mjafton të përmendet ushtria, Trepça, pavarësimi energjetik e shumë e shumë punë të tjera të rëndësishme”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu iu drejtua qytetarëve duke thënë se ai ka ditur të kërkojë pushtet dhe të lëshojë pushtet.
“Tani është koha për president, që ta dërgojmë Kosovën përpara, për ta rregulluar planin e brendshëm dhe është koha për pajtim edhe një unitet”, shtoi tutje i pari i AAK-së./Insajderi.com