Haradinaj: Edhe ne mund t’i ndalim e t’i mbajmë me orë zyrtarët serbë në kufi

Haradinaj: Edhe ne mund t’i ndalim e t’i mbajmë me orë zyrtarët serbë në kufi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se edhe Kosova mund t’i ndalojë zyrtarët serbë në kufi, nëse Serbia vazhdon këtë praktikë, siç ndodhi dje me këshilltarin e Haradinajt, Srgjan Jovanoviq, shkruan Insajderi.

I pyetur se me çfarë masash Kosova do t’i përgjigjet Serbisë për ndalimin e zyrtarëve në kufi, Haradinaj ka thënë se edhe Kosova di ta bëjë të njëjtën për çdo zyrtar të Serbisë.

Megjithatë, Haradinaj ka thënë se një praktikë e tillë nuk është në interes të dy shteteve.

“Nuk po paragjykoj çfarë masash, po edhe ne nuk mundemi me e heshtë faktin që zyrtarë të qeverisë tonë, në kët rast serbë të Kosovës, keqtrajtohen në kufi nga organet e Serbisë. Nëse ata vazhdojnë me këtë praktikë, edhe ne dimë me e ba të njëjtën gja për cdo zyrtar të Serbisë që vjen në Kosovë. Edhe ne dimë me i ndalë, edhe ne dimë me i mbajtë me orë. Dimë me e çu AKI-në, me e çu Policinë, hetuesinë, nëse dëshirojnë një praktikë të tillë. Por nuk mendoj se është në interes të ndërsjellë të dy fqinjëve”, ka thënë Haradinaj në konferencën pas mbledhjes së qeverisë.

Partia Liberale Serbe ka njoftuar dje se në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë ishte ndaluar anëtari i kësaj partie njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Srgjan Jovanoviq. /Insajderi.com