Haradinaj: Edhe një ushtar amerikan me qenë në Kosovë Serbia s’guxon të niset këndej

Haradinaj: Edhe një ushtar amerikan me qenë në Kosovë Serbia s’guxon të niset këndej

Kryeministri Ramush Haradinaj i kujton Serbisë se Kosova është zonë e Amerikës. Sipas tij edhe nëse vetëm një ushtar amerikan mbetet në Kosovë Serbia nuk do të guxojë të futet në territorin e vendit tonë.

“Kosova është zonë e Amerikës dhe kufiri Kosovë – Serbi është edhe kufi i Amerikës”, ka thënë Haradinaj i pyetur nëse Serbia mund të ndërhyjë me forcë ushtarake në Kosovë.

“E dinë ata ma mirë se na. Një ushtar amerikan në koftë këtu, ata nuk guxojnë të nisen këndej”.

Sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, ditë më parë Bërnabiq, kishte thënë se shpreson që “nuk do të kenë nevojë të përdorin ushtrinë, por një opsion i tillë është në tavolinë”

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Haradinaj tha se nuk e kupton një qëndrim të tillë meqë ushtria e Kosovës nuk e rrezikon askënd.

“Kryeministrja e Serbisë shumë herë qëndrimet i ka të dramatizuara, por nuk e kuptoj pse, nuk ka themel. Kënd kemi për ta rrezikuar ne, është jashtë çdo logjike, këto deklarata nuk janë të mira”, ka thënë ai.

Ai u ka bërë thirrje liderëve serbë që mos të bëjnë deklarata të tilla.

“Këto deklarata s’janë të mira se asociojnë me të kaluarën, me veprime jo të mira të ushtrisë së Serbisë dhe dhimbje të së kaluarës. U bëj thirrje liderëve të Serbisë që mos të bëjnë kështu se nuk është mirë kështu”, ka shtuar Haradinaj.