Haradinaj hedh dyshime nëse do të marrin pjesë nesër në seancë

Haradinaj hedh dyshime nëse do të marrin pjesë nesër në seancë

Ndonëse kryesia e përkohshme e Kuvendit e ka caktuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet më 24 gusht, kjo mund edhe të mos ndodh.

Kështu ka hedhë dilema kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media.

Ai ka thënë se ende janë duke bërë përpjekje që të shkojnë në seancën e 24 gushtit.

“Jemi ende në përpjekje që nesër të jemi në seancë. Ekziston mundësia reale që as nesër të mos mund të fillojmë”, ka thënë Haradinaj.

Vlen të përmendet se në seancat e kaluara deputetët e koalicionit PAN nuk kanë marrë pjesë, duke kërkuar takime konsultative me partitë politike.

Madje për këtë datë kishte insistuar vetë koalicioni PAN.

Megjithatë, Haradinaj ka thënë se ndihet keq për vonesat në krijimin e institucioneve, duke shtuar se kjo po bëhet për të arritur një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Këto shtyrje edhe pse janë humbje kohe, fitojmë në një aspekt tjetër kohën për shkak se bëjmë gati një nisje, që do të jetë nisje e qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

I pyetur nëse nesër do ta kenë edhe mbështetjen e AKR-së, ai ka thënë se janë në konsulta me të gjithë ata që janë të interesuar të krijojnë institucione të qëndrueshme.

“Jemi në konsulta. Nuk po bëhet fjalë vetëm për 61 deputetë. Se për ndryshe sot do të ishim në punë. Por arsyeja që po shkojmë në këtë rrugëtim dhe po marrim më shumë kohë është për një qeveri gjithëpërfshirëse, një qeveri që u bën ballë temave që e presin vendin”, ka thënë Haradinaj./Insajderi.com