Haradinaj i kontakton autoritetet e Maqedonisë për Tomor Morinën

Haradinaj i kontakton autoritetet e Maqedonisë për Tomor Morinën

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i ka kontaktuar autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut për ta liruar nga arresti ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morinën. Kështu ka deklaruar kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili mori pjesë në protestën e sotme për lirimin e Morinës.

Gjini tha se është e pakuptimtë që 20 vjet pas lufte ata që kanë kryer krime të na dënojnë.

“Secili prej nesh e kemi sot një mllef dhe me plot të drejtë. Është e pakuptimtë që ende njëzet vite pas lufte, ata që kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Tomorin e duam sa më shpejtë në mesin tonë, në familjen e tij e mes miqëve” tha Gjini

Në këtë protestë të organizuar nga OVL-UÇK morën pjesë qytetarë të shumtë, familjarë e bashkëluftëtarë të Morinës të cilët ishin mbledhur në orën 11:00 në sheshin “Nënë Tereza”.

Morina u arrestua javën e kaluar të mërkurën në Maqedoninë e Veriut, nga një urdhër arrest të lëshuar nga Beogradi.