Haradinaj iu bën thirrje aleatëve që ta ndalin presionin ndaj Kosovës

Haradinaj iu bën thirrje aleatëve që ta ndalin presionin ndaj Kosovës

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj i cili është u kthyer nga Haga ka theksuar  se ai është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, shqetësime të tilla nuk kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.

Në një intervistë për VOA, kreu në dorëheqje i Qeverisë ka treguar që është i befasuar nga thirrja që ka marrë për në Hagë, ndërkohë ka bërë thirrje që SHBA-të dhe BE-ja të ndalin presionin ndaj Kosovës.

“Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi”.

Haradinaj është shprehur se thirrjet nga Gjykata Speciale janë të dyshuara, i cilëson si konspiracion.

“Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, iu ka bërë thirrje Bashkësisë Evropiane dhe të gjithë aleatëve që ta ndalin presion ndaj Kosovës, duke përfshi presionin për taksën dhe tema të tjera.

“Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se është padrejtësi që të ftohet përsëri nga një gjykatë ndërkombëtare.

“Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt”, ka thënë Haradinaj për Zërin e Amerikës.

I pyetur se për kënd e ka fjalën, kur përmend aleatët që po i bëjën presion, Haradinaj ka treguar se e ka fjalën për SHBA-të dhe Evropën.

“Mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, ka shtuar Haradinaj.